Autoritetet amerikane i hapin rrugën përforcuesit të vaksinës Omikron

schedule08:17 - 1 Shtator, 2022

schedule 08:17 - 1 Shtator, 2022

Autoriteti shëndetësor amerikan FDA ka dhënë autorizim urgjent për vaksinën e koronas të BioNTech-ut dhe Modernas, të përshtatur për variantin Omikron. Agjencia Evropiane e Medikamenteve (EMA) do të diskutojë të enjten.

Agjencia Amerikane e Medikamenteve (FDA) ka dhënë leje urgjente për dy vaksina Covid-19, të cilat mbulojnë edhe variantin Omikron, si vaksina përforcuese. Këto janë të ashtuquajturat vaksina bivalente mRNA të kompanive Biontech/Pfizer dhe Moderna, tha FDA. Vaksinat janë të përshtatshme si për variantet BA.4/BA.5 ashtu edhe për llojin fillestar të virusit.

Përforcues të autorizuar nga mosha 12 dhe 18 vjeç

Sipas autorizimit, vaksinat e përshtatura mund të injektohen më e herta dy muaj pas vaksinimit fillestar kundër virusit. FDA e ka miratuar vaksinën bivalente të Moderna-s si një dozë të vetme përforcuese për njerëzit e moshës 18 vjeç e lart. Ndërsa vaksina Biontech/Pfizer mund të jepet si një dozë e vetme përforcuese që për njerëzit e moshës 12 vjeç e lart. “Kur po hyjmë në vjeshtë dhe kalojmë më shumë kohë brenda, ne rekomandojmë që të gjithë ata që kanë të drejtë të marrin në konsideratë një dozë përforcuese me një vaksinë bivalente Covid-19 në mënyrë që të marrin një mbrojtje më të mirë kundër varianteve aktualisht në qarkullim”, tha drejtori i FDA-së Robert Califf.

Bivalent do të thotë që merren parasysh dy komponentë: preparati duhet të ofrojë mbrojtje si kundër Sars-CoV-2 origjinal, ashtu edhe kundër nënlinjave BA.4 dhe BA.5 të Omikron-it.

Vaksina te Moderna Biontech Pfizer

Në qershor, FDA u kërkoi prodhuesve të vaksinave që të përshtatnin vaksinat për dy nënvariantet BA.4/BA.5 përgjegjëse për rritjen e fundit të infektimeve me koronavirus në mbarë botën. Nënvarianti BA.5 aktualisht është përgjegjës për më shumë se 88 përqind të infektimeve në Shtetet e Bashkuara.

Në Bashkimin Evropian, nga ana tjetër, fillimisht duhet të autorizohen përforcuesit kundër variantit BA.1 të Omikron-it, i cili shkaktoi një rritje masive të infektimeve dimrin e kaluar.

Takim i EMA-s për përforcuesit e Omikron-it këtë të enjte

Agjencia Evropiane e Medikamenteve (EMA) ka caktuar një takim të posaçëm të enjten për të diskutuar aplikimet për autorizimin e marketingut për vaksinat përforcuese përkatëse të Biontech/Pfizer-it dhe Moderna-s. Britania e Madhe ishte vendi i parë në botë që autorizoi përforcuesin BA.1 të Moderna-s në mes të gushtit.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach ka njoftuar se 14 milionë dozat e para të vaksinës me përforcuesit e duhur të BioNTech/Pfizer-it dhe Moderna-s do të dorëzohen në Gjermani brenda dy javësh nga 5 shtatori. Ai pret që të dy përforcuesit të miratohen nga Komisioni Evropian më 1 ose 2 shtator. Nëse Komisioni Evropian autorizon gjithashtu vaksinën e përshtatur me variantet e virusit BA.4/BA.5 në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit, Gjermania gjithashtu do të marrë “shumë shpejt” nga BioNTech/Pfizer me dërgesën e parë prej 9.5 milionë dozash, thuhet në një letër të Lauterbach-ut drejtuar pjesëmarrësve në fushatën e vaksinimit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!