Automjeti i UNICEF-it goditet nga municionet në Gaza

schedule11:26 - 11 Prill, 2024

schedule 11:26 - 11 Prill, 2024

Një automjet i Fondit të OKB-së për Fëmijët (UNICEF) është goditur nga municionet teksa shoferi priste të hynte në pjesën veriore të Gazës, njoftoi departamenti i UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në platformën “X”.

Një automjet i UNICEF-it që priste të hynte në pjesën veriore të Gazës të mërkurë u godit nga municione të drejtpërdrejta”. Çështja e incidentit është ngritur me autoritetet përkatëse izraelite. “Për fat të keq, punonjësit e ndihmës vazhdojnë të përballen me rreziqe kur ofrojnë ndihma për shpëtimin e jetës”, thuhet në postim.

Punonjësit humanitarë dhe shëndetësorë nuk kursehen në Gaza. Në sulmet e ushtrisë izraelite në Gaza, deri më tani janë vrarë rreth 200 humanitarë, që është një numër rekord, sipas të dhënave të organizatës “Aid Worker Security Database”.

Kombet e Bashkuara kanë njoftuar se më shumë se 170 punonjës të saj kanë vdekur në Gaza, që është numri më i madh i viktimave në mesin e personelit të OKB-së në historinë e organizatës botërore. Sipas një raporti të OKB-së të datës 29 mars, 15 punëtorë të Gjysmëhënës së Kuqe palestineze u vranë gjithashtu.

Tensionet në Lindjen e Mesme u përshkallëzuan më 7 tetor, kur militantët palestinezë të Hamasit pushtuan territorin izraelit nga Rripi i Gazës dhe vranë dhe rrëmbyen një numër të madh njerëzish. Ushtria izraelite u kundërpërgjigj me sulme ajrore dhe raketash në Rripin e Gazës, si dhe një bllokadë të plotë të enklavës palestineze./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!