Autobusi ra nga ura pak në prag Krishtlindjesh, rritet numri i viktimave nga tragjedia në Spanjë

schedule18:37 - 25 Dhjetor, 2022

schedule 18:37 - 25 Dhjetor, 2022

Ekipet e shpëtimit në Spanjë po garojnë me kohën për të gjetur të mbijetuar pasi një autobus u rrëzua në një lumë në Galicia, teksa numri i të vdekurve është rritur në gjashtë.

Sipas autoriteteve lokale, aksidenti ndodhi pak para mesnatës së së shtunës për të dielën në një rrugë kombëtare pranë qytetit Therdedo-Cotobade, një distancë relativisht e shkurtër nga kufiri me Portugalinë.

Gjithsej, tetë ose nëntë persona ishin në bordin e autobusit që ra nga një urë në shtratin e lumit. Dy u gjetën të gjallë dhe u dërguan në spitale: shoferi, rreth të 60-tave dhe një pasagjere femër.

Ekipet e shpëtimit postuan një foto në Twitter, ku shihet autobusi i zhytur në ujërat e turbullta të lumit, në fund të një përroske, mes trungjeve të pemëve, të paktën pesë pasagjerë kanë humbur jetën. Dy trupa u gjetën gjatë natës dhe tre të tjerë herët pasditen e sotme pranë rrënojave të autobusit. Mes pesë të vdekurve është edhe një e re peruane, e cila jetonte në Galicia dhe kujdesej për një të moshuar. Katër të tjerët janë banorë spanjollë të zonës. Disa nga pasagjerët do të vizitonin të burgosurit në burgun Monterosso në Galicia qendrore me rastin e Krishtlindjeve, raportoi gazeta lokale La Voz de Galicia. Një ose dy persona janë të zhdukur.

“Nuk e dimë me siguri, sepse shoferi nuk është i sigurt për numrin e njerëzve në autobus në momentin e përplasjes”, thanë autoritetet lokale.

Operacioni i shpëtimit u ndërlikua nga reshjet e dendura të shiut në zonë, gjë që ngriti nivelin e lumit Lerez, ku u rrëzua autobusi. Për shkak të kushteve, ekipet e shpëtimit kanë pezulluar kërkimet për disa orë gjatë natës.

Ende nuk janë zbardhur shkaqet e aksidentit, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë pasur rol edhe shiu. Shoferi rezultoi negativ në testin e alkomaterialit dhe nuk kishte përdorur drogë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!