Austria kërkon përshpejtimin e hapave për integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor

schedule12:43 - 10 Maj, 2021

schedule 12:43 - 10 Maj, 2021

Nga Erisa Zykaj

Zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor do të jetë në tryezën e 27 ministrave të çështjeve europiane të Bashkimit Europian. Tema do të diskutohet në fund të axhendës së takimit të ministrave, e inkuadruar në pikën AOB (any other business), që ka të bëjë me çdo çështje tjetër që mund të ngrihet nga një shtet anëtar ose presidenca e rradhës e BE-së. Diplomatë europianë kanë konfirmuar për ABCnews, se shteti që e ka kërkuar këtë diskutim është Austria. Ministrja austriake për BE-në dhe Kushtetutën, Karoline Edstadler ka kryer së fundmi një vizitë në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, ku është takuar me përfaqësues të qeverive dhe opozitave respektive.

Bullgaria duhet të heqë veton për Maqedoninë e Veriut
Diplomatë europianë kanë treguar për ABC, se ministrja Edstadler dëshiron të njohë 26 shtetet anëtare lidhur me këto dy vizita dhe qëndrimin e Austrisë për të gjetur rrugë lidhur me zhbllokimin e situatës në kuadrin e politikës së zgjerimit, ku aprovimi i kuadrit negociues me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë mbahet pezull nga vetoja e Bullgarisë lidhur me qasjen e saj për çështjen e gjuhës dhe histories në kuadrin e Traktatit të Miqësisë Bullgari-Maqedoni e Veriut.

Burime zyrtare austriake kanë artikuluar për ABC, se Austria si shumica dërrmuese e shteteve anëtare të Bashkimit Europian e konsiderojnë veton e Bullgarisë si të papranueshme dhe kërkojnë që Bullgaria të ndalë bllokimin e saj ndaj Maqedonisë së Veriut.

Ky mesazh pritet të përcillet edhe nesër gjatë takimit të ministrave të çështjeve europiane shumë qartë. Sipas këtyre burimeve, Maqedonia e Veriut ka bërë shumë progres në rrugën e saj europiane dhe vendi meriton hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit.

Kjo është e vetmja pengesë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që për Shqipërinë edhe pas aprovimit të kuadrit negociues, shtete anëtare duhet të shprehen nëse Shqipëria ka përmbushur kushtet për konferencën e pare ndërqeveritare.

Shqipëria progres në reformën në drejtësi/ Të trajtohen problemet me zgjedhjet

Burime zyrtare austriake janë shprehur për ABC, se Austria dëshiron që Shqipëria të avancojë në rrugën e integrimit europian dhe të hapë negociatat e anëtarësimit në BE. Sipas këtyre burimeve, ministrja Karoline Edstadler vlerëson progresin e bërë në kuadrin e reformës në drejtësi për rivlerësimin e prokurorëve dhe gjykatësve.

Persa i perket procesit te zgjedhjeve te përgjithshme të 25 prillit, qëndrimi austriak është që çështjet lidhur me parregullsitê dhe shkeljet duhet të trajtohen.

Zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit marrin një rëndësi të veçantë aktualisht, duke qenë se reforma zgjedhore dhe zbatimi i saj përbëjnë parakushtin e parë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me vendin. Ndaj kjo çështje pritet të jetë në fokus të vëmendjes gjatë muajit maj dhe qershor.

Në pritje të raportit përfundimtar të OSBE/ODHIR, shtetet anëtare janë njohur me raportin paraprak të OSBE/ODHIR dhe po njihen ndërkohë me shkeljet dhe parregullsitë në vijim që kanë ndodhur gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit. Pikëpyetja e madhe që ngrihet në këtë moment është nëse shtetet anëtare të Bashkimit Europian kritike ndaj progresit të pjesshëm të Shqipërisë në rrugën e integrimit europian do të mund t’i kualifikojnë këto zgjedhje si të lira dhe të ndershme për t’i hapur rrugën hapjes zyrtare të negociatave të anëtarësimit.

Ndarja që ekziston aktualisht është midis një grupi shtetesh anëtare që njohin qe ka parregullsi dhe shkelje dhe konsiderojnë që ato duhet të trajtohen gjatë negociatave të anëtarësimit dhe grupit tjetër që është shumë i rreptë lidhur me shkeljen e standarteve europiane dhe mund te vijoje te njejtin qendrim per vendin. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!