Austria forcon ligjin që ndalon simbolet naziste dhe ekstremiste

schedule13:21 - 16 Dhjetor, 2023

schedule 13:21 - 16 Dhjetor, 2023

Parlamenti i Austrisë ka forcuar një ligj që ndalon simbolet naziste ose ato që lidhen me lëvizjen palestineze Hamas, në një përpjekje për të kundërshtuar rritjen e akteve antisemite dhe ekstremiste.

Vendi alpin, i aneksuar nga Adolf Hitleri në 1938, ka një nga ligjet më të rrepta të Evropës për krimet neo-naziste, por dënimet janë të rralla.

Amendamenti i ligjit nga viti 1947 u miratua nga të gjithë deputetët, përveç atyre të Partisë së Lirisë (FPO) të ekstremit të djathtë.

Veshja e simboleve naziste apo çdo simboli tjetër në listë, që përfshin në mënyrë specifike Hamasin, Vëllazërinë Myslimane ose Hezbollahun, tani do të dënohet me gjoba më të larta, deri në 20,000 euro.

Nëpunësit civilë të shpallur fajtorë do të shkarkohen nga detyra.

Teksti gjithashtu kriminalizon çdo minimizim të Holokaustit dhe krimeve të tjera naziste.

Veprat penale të kryera nga austriakët jashtë vendit, veçanërisht nëpërmjet përhapjes së propagandës në internet, bien nën ligjin e ri, i cili gjithashtu e bën më të lehtë konfiskimin e sendeve naziste.

Austria, atdheu i Hitlerit, është paraqitur prej kohësh si viktimë e nazizmit, duke mohuar bashkëpunimin e shumë austriakeve.

Vetëm në fund të viteve 1980 ajo filloi të shqyrtonte përgjegjësinë e saj për Holokaustin.

Në total, 65,000 hebrenj austriakë u vranë dhe 130,000 u detyruan në mërgim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!