Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Austri, vendi në kaos politik

schedule22:10 - 20 Maj, 2019

schedule 22:10 - 20 Maj, 2019

Austria është përfshirë nga një kaos politik pas braktisjes së koalicionit qeverisës nga e djathta ekstreme. Vendimi ka ardhur pasi kancelari Kurc ka kërkuar shkarkimin e ministrit të Brendshëm në lidhje me video-skandalin ku ishte përfshirë zëvendësi i tij.

Të gjithë ministrat e së djathtës ekstreme në Austri kanë dhënë dorëheqjen pasditen e së hënës, duke bërë që vendi të hyjë në një kaos politik. Shkak për këtë lëvizje të Partisë së Lirisë është bërë vendimi i kancelarit Sebastian Kurc për të shkarkuar ministrin e Brendshëm. Në një konferencë për shtyp, Kurc deklaroi se do t’i kërkojë presidentit të Republikës shkarkimin e Herbert Kikël.

Qeveria austriake hyri në krizë të premten e kaluar, pas publikimit të një videoje të fshehtë ku shfaqej zëvendës kancelari Hajnc Kristian Shtrahe teksa bisedonte për një aferë financiare me një investitor rus.

Shtrahe u detyrua të jepte dorëheqjen ditën e shtunë dhe për kancelarin Kurc, largimi i ministrit të Brendshëm është lëvizja e duhur për të hedhur plotësisht dritë mbi episodin. Ndërkohë, Rusia ka përjashtuar çdo përfshirje në aferë. Zëdhënësi i presidentit Vladimir Putin, Dimitri Peskov ka deklaruar se gjithçka që ka ndodhur është një incident që nuk ka lidhje me Kremlinin.

Sidoqoftë, skandali vjen në një moment kritik për Partinë e Lirisë, pasi pas pak ditësh, nga 23 deri më 26 maj do të mbahen zgjedhjet euro-parlamentare, që pritet të sjellin një rritje të ligjvënësve ekstremistë. Gjithashtu, videoja pritet të ndikojë edhe në zgjedhjet e parakohshme që vendi do të mbajë në shtator, vendim i cili u mor ditën e diel./ABC News Albania  24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!