Vala e zjarreve ka arritur kulmin në Australinë juglindore, duke përfshirë Uellsi e Ri Jugor dhe shtetin ishullor të Tasmanisë, ku situata mbetet tejet e rrezikshme.
Autoritetet konfirmojnë viktimën e parë, një zjarrfikës 59-vjeçar nga Uellsi i Ri Jugor, i cili humbi jetën pasi u godit nga një pemë gjatë përpjekjeve për të vënë nën kontroll flakët pranë qytetit Bulahdelah.
Zjarret kanë shkatërruar rreth 40 shtëpi në dy shtetet më të prekura, ndërsa vetëm në Uellsin e Ri Jugor ka 52 vatra, nëntë prej të cilave janë jashtë kontrollit. Edhe Tasmania po përballet me dëme të rënda, ku 19 banesa u dogjën në komunitetin bregdetar të Dolphin Sands gjatë fundjavës.
Qeveritë federale dhe shtetërore kanë aktivizuar menjëherë masat e ndihmës për komunitetet e prekura, duke vënë në dispozicion mbështetje për banorët, bizneset, fermerët dhe autoritetet lokale. Aktualisht, mbi 1,100 zjarrfikës dhe dhjetëra ekipe të emergjencës, të pajisura me qindra automjete, po luftojnë më shumë se 90 vatra zjarri në të gjithë rajonin. Kryeministri Anthony Albanese, pas vizitës në selinë e Menaxhimit Kombëtar të Emergjencave në Canberra, paralajmëroi se vendi po përballet me një sezon “veçanërisht sfidues” për shkak të kombinimit të temperaturave të larta dhe reshjeve të pakta. “Uellsi i Ri Jugor, në veçanti, paraqet një sërë parakushtesh që sugjerojnë një sezon shumë të rëndë për ekipet e shpetimit,” deklaroi ai, duke shtuar se pjesë të Australisë Perëndimore dhe Tasmanisë janë gjithashtu në flakë.
Ndërsa verës ende i ka mbetur kohë, autoritetet paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet më tej, duke bërë thirrje për vigjilencë dhe respektim të të gjitha udhëzimeve të sigurisë.

