Australia bojkoton Olimpiadën në Pekin

schedule11:15 - 8 Dhjetor, 2021

schedule 11:15 - 8 Dhjetor, 2021

Australia do t’i bashkohet Shteteve të Bashkuara në bojkotimin diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore “Pekini 2022”, tha kryeministri Scott Morrison.

Morrison u tha gazetarëve më 8 dhjetor se Qeveria kineze nuk ka adresuar një sërë çështjesh, që kanë përkeqësuar raportet me Australinë, përfshirë edhe shkeljet e të drejtave të njeriut në rajonin Ksinjiang.

“Prandaj nuk është befasi që zyrtarët e Qeverisë australiane nuk do të shkojnë në Kinë për këto lojëra. Por, atletët australianë do të marrin pjesë”, tha Morrison.

Ambasada kineze në Australi është përgjigjur ndaj kësaj deklarate, duke thënë se “vendimi i Australisë që të mos dërgojë zyrtarë në Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin është në kundërshtim me deklaratat publike të të ashtuquajturës shpresë se raportet Kinë-Australi mund të përmirësohen”.

Ky njoftim nga Australia erdhi një ditë pasi SHBA-ja njoftoi se nuk do të dërgojë zyrtarë në këto lojëra.

Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki citoi “gjenocidin e vazhdueshëm të Kinës dhe krimeve kundër njerëzimit në Ksinjiang dhe shkeljeve të tjera të të drejtave të njeriut” si bazë për bojkotimin diplomatik të Olimpiadës, që do të nisë më 4 shkurt.

Psaki tha se dërgimi i diplomatëve apo përfaqësuesve zyrtarë do të nënkuptonte se SHBA-ja do t’i trajtonte këto lojëra si ngjarje normale “në kohën e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe mizorive të tjera të Kinës në Ksinjiang, dhe ne thjesht nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë”.

Megjithatë, ajo shtoi se ekipi olimpik i SHBA-së do të ketë “mbështetjen e plotë” të administratës dhe ekipi nuk do të ndikohet nga bojkoti diplomatik.

Kina iu kundërpërgjigj SHBA-së, duke thënë se po shkel frymën Olimpiadës, duke tentuar që të ndikojë në këtë ngjarje sportive “nga paragjykimi ideologjik dhe duke u bazuar në gënjeshtra dhe thashetheme”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian paralajmëroi se Kina do të përgjigjet me kundërmasa.

“SHBA-ja do të paguajë çmim për këto praktika”, tha ai.

SHBA-ja thotë se Kina po kryen gjenocid ndaj ujgurëve dhe minoriteteve të tjera, kryesisht myslimane, në rajonin Ksinjiang, duke dërguar dy milionë persona në kampe të ndalimit. Organizatat e të drejtat e njeriut thonë se kanë dokumentuar se në këtë rajon Kina përdor politika të represionit politik, torturë dhe sterilizim të detyrueshëm.

Kina mohon se shtyp ujgurët, duke thënë se personat janë vendosur në kampe “të riedukimit” me qëllim që të luftohet ekstremizmi./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!