Austin: Dërgimi i trupave koreanoveriore në Rusi, përshkallëzim i rrezikshëm

schedule17:37 - 31 Tetor, 2024

schedule 17:37 - 31 Tetor, 2024

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka thënë se përdorimi i trupave koreanoveriore nga Rusia për ta ndihmuar atë në luftën e saj kundër Ukrainës, është një “përshkallëzim i rrezikshëm dhe destabilizues”.

Duke folur në një konferencë për media në Pentagon përkrah homologut të vet nga Koreja e Jugut, Austin tha se mbi 10.000 ushtarë koreanoveriorë janë vendosur tashmë në Rusinë lindore.

Disa prej këtyre ushtarëve po zhvendosen në rajonin e Kurskit, i cili ndodhet në kufi me Ukrainën, dhe janë të veshur në uniforma ruse dhe mbartin pajisje ruse.

Ushtria e Ukrainës e kreu një inkursion të madh në Kursk gjatë gushtit dhe prej atëherë ka nën kontroll qindra kilometra katror territor atje.

Dërgimi e trupave koreanoveriore në Rusi jo vetëm që ka mundësi të zgjasë konfliktin, por gjithashtu mund t’i nxisë të tjerët të marrin masa.

“Ka një numër gjërash që mund të ndodhin”, tha Austin.