Nga të gjitha veprimtaritë buxhetore, institucionet publike si në nivel qendror apo lokal, abuzojnë më së shumti me investimet kapitale.
Abuzimet përfshijnë mos-respektimin e rregullave dhe ligjit vjetor të buxhetit ashtu edhe fondeve të vëna në dispozicion.
Auditi i brendshëm i qeverisë ka gjetur se gjatë vitit 2020, në drejtim të investimeve kapitale është respektuar vetëm 18 për qind e asaj që është miratuar në ligjin e buxhetit. Nga një vlerësim nga 1 deri 4 (pikët e ulëta nënkuptojnë rezultat të dobët dhe afër 4-es rezultat të mirë) menaxhimi i investimeve kapitale u vlerësua me vetëm 0.74 pikë.
Në një raport të posaçëm që tashmë është depozituar edhe në Kuvend, Drejtoria e Përgjithshme e Harmonizimit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik në Ministrinë e Financave theksoi se, zbatimi i buxhetit gjatë vitit 2020 në drejtim të investimeve kapitale nuk u respektua aspak, duke vijuar traditën e kaluara.
“Treguesi “Realizimi i shpenzimeve kapitale” paraqet devijimin nga plani i realizimit i shpenzimeve kapitale në një vit kundrejt shpenzimeve kapitale totale të planifikuara me ligjin e buxhetit vjetor në Kuvend. Për vitin 2020, ky tregues është vlerësuar mesatarisht me 0.74 pikë (18%), duke shfaqur një performancë jo të kënaqshme të njësive publike, duke qenë se paraqet një nivel të konsiderueshëm devijimi nga fondet e planifikuara” thuhet në raportin e auditit të brendshëm të qeverisë. Me ketë praktikë qeveria të tjera projekte çon për miratim në Kuvend dhe krejt të tjera projekte financon në realitet.
Auditi i qeverisë vë në dukje se nga të gjitha institucionet publike të marra në analizë, njësitë e qeverisjes vendore kanë devijimin më të lartë, në krahasim me ministritë e linjës dhe institucionet e pavarura.
Për ato njësi, të cilat paraqesin një performancë shumë të ulët të realizimit të këtij treguesi, evidentohet se shkaqet kryesore janë të lidhura kryesisht me problematikat dhe vonesat që ndodhin gjatë kryerjes së procedurave të prokurimit.
Shpenzimet kapitale për vitin 2020 arritën vlerën e 85.3 miliardë lekëve ose 104.5 për qind të planit vjetor fillestar (95.5 për qind të planit vjetor të ndryshuar me Akt Normativ. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, ky zë është 13.8 për qind më i lartë ose rreth 10.3 miliard lekë më shumë.
Ministria e Financave raportoi se ky mbi realizim erdhi si pasojë e ecurisë pozitive të projekteve të investimeve me financim të brendshëm, të cilat shënuan një realizim në masën rreth 59.5 miliardë lekë ose 116 për qind të planit vjetor fillestar dhe 98.2 për qind të planit vjetor të rishikuar.
Po ashtu, investimet nga të ardhurat e arsimit të lartë shënuan një realizim në masën 1.04 miliardë lekë ose 104 për qind në raport me planin vjetor fillestar, ndërsa financimi i huaj u realizua në masën rreth 24.7 miliardë lekë ose 84.3 për qind të planit vjetor fillestar dhe 89.3 për qind të planit vjetor të ndryshuar. /Monitor