Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit njoftoi se do të sjellë operën “Attila” nga Giuseppe Verdi, e cila do të ngjitet si premiere absolute në TKOB për të dëshmuar tragjedinë e shekullit të V të mbretit të Hunëve, Attilës dhe rezistencës së popullit italian. “Attila” do të shfaqet në datat 15, 16, 18 dhe 19 nëntor.
Sopranoja Eva Golemi theksoi në një intervistë për “ABC-ja e mëngjesit”, se ndihet e lumtur që kjo vepër vjen në skenë nga orkestra simfonike dhe kori i TKOB-së. “E kënaqur që e luaj këtë rol, për herë të parë, jo vetëm për mua po edhe për TKOB. Them se do të dalë një shfaqje e jashtëzakonshme”.
Tenori italian Amadi Lagha theksoi se ky produksion është i një niveli të lartë dhe duhet të shkojë edhe nëpër teatro të tjera të rëndësishme të botës.
“Sa i përket nivelit të teatrit, keni solistë të mirë dhe orkestra është e nivelit të shkëlqyer. Ky produksion është i një nivelit të lartë që duhet të shkojë në teatro të rëndësishme, është më se i realizueshëm dhe politika e teatrit sot është që të mos qëndrojë vetëm në Shqipëri por jetë edhe si urë lidhëse për Evropën dhe për teatrot e tjera të botës. Mendojmë të bëjmë një lloj ure lidhëse për të sjellë edhe projekte të tjera në Tiranë.”, u shpreh tenori italian./abcnews.al