Atletët shqiptarë pa kushte, Salla e Mbyllur prej 30 vitesh mbetet e papërfunduar

schedule20:59 - 24 Shkurt, 2020

schedule 20:59 - 24 Shkurt, 2020

TIRANA NUK KA SALLE TE MBYLLUR ATLETIKE. YJET JANE PA KUSHTE, NDERSA SALLA E VITEVE 80-TE NUK KA PERFUNDUAR

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, nuk ka një sallë të mbyllur atletike. Sportistët tanë më të mirë si Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj vuajnë për kushte, ndërsa projekti i sallës i nisur 35 vjet më parë mbetet I papërfunduar.

U nis më shumë se 30 vjet më parë. Kjo ngrehinë prapa Fakultetit të Inxhinierisë në Tiranë, në zonën e njohur si 21 Dhjetori, u mendua të ishte Salla e Mbyllur e Atletikës.

Investimi i filluar në mesin e viteve 80-të të shekullit të kaluar nuk u arrit të përfundohej për shkak të mungesave financiare të shtetit të atëhershëm, u la në harresë pas vitit 1990, dhe për 30 vjet këtë vazhdojnë ta vuajnë atletët shqiptarë të elitës siç janë sot Luiza Gega apo Izmir Smajlaj.

Që nga 1991-shi e sot, struktura me hekurbeton dhe e mbuluar është përdorur si treg, si stacion autobusësh ndërqytetës, dhe sot si parkim makinash, e thuhet se tokës i ka dalë pronari.

Nuk dihet nëse ka kryeqytet evropian pa sallë të mbyllur atletike, por vështirë që të ketë. Ndërtimi i saj u pa si nevojë në sistemin e kaluar, edhe pse me vonesë, dhe fillimi i punimeve u bë I mundur nga këmbëngulja e ish-shefit të sporteve për qarkun e Tiranës, Sokol Morina.

Në mesin e viteve 80-të, duke shfrytëzuar disa fonde që mund të digjeshin nga mos-investimi, Morina projektoi planin për ndërtimin e disa objekteve sportive.

Mes tyre Salla e Mbyllur e Atletikës, një sallë e re pranë Pallatit të Sportit që quhej “Partizani” në atë kohë, e sot “Asllan Rusi”, një sallë lojërash me dorë pranë ish-stadiumit “Qemal Stafa”, dhe Salla e lojërave me dorë “Farie Hoti”.

Të katër objektet nisën të ndërtoheshin, por vetëm “Farie Hoti”u përfundua dhe atë e administron klubi shumë-sportësh Tirana që varet nga Bashkia.

Projektet e tjera u lanë të papërfunduar për 30 vjet, ndërsa salla e lojërave pranë ish-stadiumit “Qemal Stafa”, sot është shkatërruar dhe në truallin e saj është ndërtuar një pallat shumëkatësh.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!