Atletët paralajmërohen që të mos flasin për të drejtat e njeriut në Lojërat e Pekinit

schedule03:47 - 20 Janar, 2022

schedule 03:47 - 20 Janar, 2022

Atletët në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit të muajit të ardhshëm do të përballen me ndëshkim nëqoftëse sjellja e tyre është kundër frymës së Lojërave ose rregullave kineze, ka thënë një zyrtar. Kjo deklaratë vjen pasi Human Rights Watch mbajti një konferencë për të paralajmëruar për rreziqet e atletëve që flasin në lojëra. Atletëve iu tha të “qëndrojnë të heshtur” për çështjet e të drejtave të njeriut pasi ata “nuk do të mbrohen” në një “shtet mbikëqyrës orwellian”.

“Çdo shprehje që është në përputhje me frymën olimpike, jam i sigurt se do të mbrohet dhe çdo sjellje apo fjalim që është kundër frymës olimpike, veçanërisht kundër ligjeve dhe rregulloreve kineze, janë gjithashtu subjekt i një dënimi të caktuar”, tha Yang Shu, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Pekinit 2022.

Yang sugjeroi se një dënim i mundshëm mund të ishte anulimi i akreditimit të atletëve raporton “BBC”. Kur u pyet për një përgjigje, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar iu referua rregullit 50.2 të udhëzimeve të tij, të cilat mbrojnë neutralitetin e sportit dhe të Lojërave.

“Lojërat rregullohen nga rregullat e Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, ato do të zbatohen në Pekin 2022 si në çdo edicion tjetër të Lojërave më parë,” tha Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Skiatori nordik Noah Hoffman thotë se ai ndjen “frikë” për atletët për “mungesën e aftësisë për të folur lirshëm”. “Këshilla ime për atletët që janë atje dhe shpresa ime për atletët që shkojnë atje është të qëndrojnë të heshtur,” tha Hoffmanm, duke folur në seminarin e Human Rights Watch.

Global Athlete një grup i udhëhequr nga atletët që kërkon “ndryshime pozitive” në sportin botëror tha se është “qesharake” që atletëve u thuhet të presin derisa të kthehen në shtëpi për të protestuar, por paralajmëroi se nuk mund të presin mbrojtje nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Shqetësimet për atletët janë ngritur gjithashtu në lidhje me sigurinë e një aplikacioni që duhet të përdorin për të ndihmuar monitorimin e Covid-19 në Lojëra.

Kina i ka hedhur poshtë shqetësimet, por Human Rights Watch ka paralajmëruar se policimi i vendit ndaj kanaleve dixhitale ka ndryshuar dukshëm që kur ajo priti Lojërat Verore në 2008.

/ abcnews.al