Atentati në Shkodër/ Gazetarja Delia: Në këtë fazë, çdo pistë është e hapur

schedule19:25 - 30 Tetor, 2024

schedule 19:25 - 30 Tetor, 2024

Gazetarja e ABC News, Etleva Delia, autore e emisionit “Gjërat tona”, deklaroi se çdo pistë është e hapur për vrasjen mafioze në Shkodër, ku viktimë mbeti Hamza Lici dhe një kalimtare e rastit, teksa shënjestra tjetër, Arlind Bushati ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në një intervistë në “Edicioni Qendror”, Delia u shpreh se mund të ketë edhe prapavijë politike, për shkak të veprimtarisë së babait të Arlind Bushatit, Xhemal Bushatit.

“Është çdo pistë e hapur, çdo mundësi. Nuk përjashtohet as rivaliteti mes dy fiseve. Duhen parë edhe konfliktet e Arlind Bushatit, ndoshta edhe babait të tij, qoftë për shkak të detyrës që ka pasur, apo edhe biznesit, ka biznes te pedonalja e Shkodrës, është vendosur eksploziv dy herë. Asnjëra nga ngjarjet nuk është zbardhur, qoftë vendosja dy herë e eksplozivit dhe ngjarja e 10 tetorit. Po mbahen të hapura çdo variant i mundshëm dhe çdo pistë. Deri më sot nuk janë gjetur dhe identifikuar autorët e këtyre sulmeve. Për aq kohë sa nuk përjashtohet asnjë pistë, në këtë fazë, do përfshihet edhe pista që do ketë prapavijë politike, ose që të ketë lidhje me Xhemal Bushatin, pavarësisht se çfarë do tregojnë hetimet dhe provat që do grumbullohen në vijim”, theksoi ajo./abcnews.al