Atentati në paradën ushtarake, Irani zotohet për hakmarrje

schedule08:13 - 25 Shtator, 2018

schedule 08:13 - 25 Shtator, 2018

Autoritetet më të larta të Republikës Islamike kanë paralajmëruar të hënën se Irani do të hakmerret për atentatin në paradën ushtarake, ku mbetën të vrarë 25 persona. Teherani ka fajësuar Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe aleatët arabë, të cilët i ka kërcënuar me përgjigje të ashpër.

Lideri suprem iranian, ajatollahu Ali Khamenei ka deklaruar të hënën se Republika Islamike do të hakmerret për atentatin në paradën ushtarake të së shtunës, ku humbën jetën 25 persona.

Khamenei ka akuzuar Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe se kanë paguar terroristët që kryen sulmin dhe ka paralajmëruar se do të ndëshkohen rëndë. Ndërsa numri dy i Gardës Revolucionare ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për përfshirje në sulm dhe ka nënvizuar se të dyja vendet duhet të presin një përgjigje shkatërruese nga Teherani. Të hënën, në qytetin jug-perëndimor të Avazit, mijëra persona mbushën rrugët për të mbajtur zi për sulmin e së shtunës, shumë prej të cilëve bërtisnin “Vdekje Izraelit dhe Amerikës”.

Arkivolët e 12 anëtarëve të gardës që humbën jetën në atentat, të mbuluar nga flamuri iranian, u mbajtën mbi shpatulla nga të pranishmit. Të tjerë mbanin në duar fotot e një djali 4-vjeçar që humbi jetën nga sulmi, një ndër më të rëndët të verifikuar në Iran ndër vite.

Persona të armatosur hapën zjarr ndaj turmës dhe ndaj podiumit ku qëndronin oficerë të lartë iranianë që do të ndiqnin paradën që do të përkujtonte luftën e viteve 1980-1988 me Irakun. Të hënën agjencia e lajmeve “Fars” ka bërë të ditur se agresorët nuk ishin 4 por 5 dhe ka shtuar se të gjithë ata kanë mbetur të vrarë. /abcnews.al