Drejtori i departamentit të policisë kriminale, Tonin Vocaj u shpreh se dyshimet janë se atentati ndaj drejtorit të Policisë bashkiake të Malësisë së Madhe Mentor Hasanaj dyshohet se ka si shkak pronësinë. Ai tha se bashkë me autorin, Ilirjan Hasanaj ka qenë edhe një tjetër person, që është në kërkim.
“Ne i kemi marrë deklarimet edhe babait edhe shefit të policisë dhe përjashtohet një motiv që lidhet me detyrën deri tani. E vërteta është se nuk është sqaruar, dyshohet për një motiv pronësie, por nuk është sqaruar.
Jemi duke hetuar në këtë drejtim, por ne pretendojmë që e kemi dokumentuar përfshirjen e këtij autori në këtë krim dhe kemi hedhur baza të mira edhe bashkautorin tjetër që ka qenë me atë, por ndjekja që i është bërë rastit ka qenë e shpejtë” tha ai.
Nga atentati mbetën të plagosur rëndë Mentor Hasanaj i cili u soll në Tiranë për një ndihmë më të specializuar mjekësore dhe babai i tij Xhelal Hasanaj ndërsa e shoqja e tij i shpëtoi plumbave. Ngjarja ndodhi rreth mesditës së djeshme, teksa të Hasanaj po drejtonte automjetin tip Skoda në pronësi të policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe.
Autori i cili i kishte ndjekur, priti derisa makina bëri një ndalesë gjatë rrugës për të qëlluar fillimisht nga pas ndërsa më pas u pozicionua anash në krahun e shoferit duke vazhduar të qëllojë me armë. Motori i tij u gjet gjatë orëve të pasdites i braktisur rreth 500 metra larg vendit ku ndodhi ngjarja./ db/Abcnews.al