Atentati me tritol te “Vasil Shanto”, zbardhen kamerat e sigurisë dhe veprimet e 51 vjeçarit para shpërthimit

schedule21:01 - 15 Shtator, 2020

schedule 21:01 - 15 Shtator, 2020

Shënjestra e atentatit të sotëm Preng Gjini i cili mbeti i plagosur rëndë në zonën e “Vasil Shantos”, aktualisht ndodhet në sallën e operacionit ku po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Gjini, 51 vjeç ka marrë plagë të shumta në gjymtyrë dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Sakaq Abc News ka mësuar se 51 vjeçari është vëllai i Armando (Tonin) Gjinit i vrarë në Rrëshen në gusht të vitit 2019.

Policia ndërkohë ka nisur hetimet ku pista kryesore në të cilën është fokusuar është ajo e hakmarrjes.

Lexo edhe: Atentati me tritol tek “Vasil Shanto”, zbardhen pistat hetimore

Nga kqyrja e kamerave të sigurisë mësohet se Preng Gjini ka qenë me një automjet tjetër të llojit “Fuoristradë” të cilin e ka lënë në zonën e “Vasil Shantos”, pranë një universiteti, dhe më pas ka marrë automjetin tip mercedez-benz A Class, ku vetëm pak minuta më pas ka shpërthyer mbi urën prane zonës së “Vasil Shantos”.

Mësohet se Preng Gjini ka qenë i dënuar në Itali për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni.

Preng Gjini prej vitesh ka jetuar jashtë territorit shqiptar për shkak të hasmërisë.

Në Rrëshen ai u rikthye një vit më parë pasi i vranë të vëllanë Toninin i njohur ndryshe me emrin Armando.

Burimet bëjnë me dije se 51-vjeçari është betuar mbi varrin e të vëllait se do të merrte hak.

Kjo pasi, sipas burimeve Prenga nuk e kishte arritur në kohë edhe varrimin e të vëllait.

Preng Gjini është dyshuar edhe si autor i vrasjes së Kastriot Reçit por asnjëherë nuk ka pasur prova ndaj tij.

Gjini ra pre e një atentati me tritol, teksa udhëtonte me automjetin Mercedez Benz, të tipit “A Class” në orët e pasdites së sotme.

Bashkë me të kanë mbetur të plagosur dy persona të tjerë të cilët ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

N.D./abcnews.al