Gazetari Simon Shkreli ka dhënë detaje në lidhje me gjendjen e të plagosurve nga atentati i ndodhur këtë të mërkurë në Shkodër.
Arlind Bushati, i cili ndodhej në makinë me Hamza Licin, dhe Bashkim Basha, që po udhëtonte me motor pranë, ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore në spital.
“Gjendja shëndetësore për Arlind Bushatin dhe Bashkim Bashën gjendja është e rëndë. Po mundohen t’i mbajnë nën kontroll deri në momentin e kalimit të krizës dhe më pas të ndërhyjnë. Bushati ka marrë goditje të mëdha në kokë dhe trup ndërsa Basha ka disa fraktura në trup por ka të dëmtuar edhe kafkën dhe e bën të vështirë ndërhyrjen. Gjendja e tyre është e rëndë në momentin që flasim“, raportoi gazetari Simon Shkreli.
Sipas policisë, ngjarja ndodhi në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip Benz, në lëvizje, me të cilin qarkullonin Hamza Lici dhe Arlind Bushati.
Automjeti që udhëtonin Lici dhe Bushati humbi kontrollin dhe u përplas një motoçikletë që udhëtonte çifti i bashkëshortëve, Bashkim dhe Flutura Basha. Kjo e fundit ndërroi jetë, ndërsa Bashkim Basha u dërgua në gjendje të rëndë në spital./abcnews.al