Atentat mafioz në ishullin plotë me shqiptarë, ekzekutohet biznesmeni i njohur grek

schedule15:01 - 7 Maj, 2021

schedule 15:01 - 7 Maj, 2021

Një atentat mafioz ka ndodhur gjatë mesditës së sotme në ishullin Zakyntos të Greqisë ku mbeti i vrarë biznesmeni i njohur Dionysis Korfiatis, raporton abcnews.al.

Ky i fundit i kishte shpëtuar edhe më parë një atentati të ngjashëm. Biznesmeni 54-vjeçar u qëllua nga një person teksa ishte future në një zyrë kontabiliteti në qytet. Breshëria e plumbave nga jashtë zyrës nuk i la atij asnjë mundësi shpëtimi, ndërsa mediat greke raportojnë për një person të plagosur gjatë atentatit, i cili është jashtë rrezikut për jetën në spital.

Pas atentatit, policia gjeti makinën e djegur disa kilometra jashtë qytetit dhe armën e krimit brenda saj. Raportohet se për ekzekutimin e biznesmenit u përdor një kallashnikov.

Në qershorin e vitit të shkuar atij i bënë atentat kur ishte bashkë me bashkëshorten Christina Kloutsinioti, e cila mbeti  e vdekur. Më herët ajo kishte kandiduar për postin e kryebashkiakes së Zakynthosit.

Ishulli është një ndër zonat në Greqi ku punojnë dhe jetojnë një numër i madh shqiptarësh. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!