Atentat Durim Bamit? Kushëriri i plagosur zbulon para prokurorëve me kë ishte në makinë

schedule13:04 - 6 Nëntor, 2020

schedule 13:04 - 6 Nëntor, 2020

ABC ka mësuar se çfarë është gjetur në makinën e djegur e cila u gjet ditën e djeshme në zonën e Valiasit në Tiranë.

Në mjetin e djegur tip “Golf 5” të dyshuar të përdorur nga autorët e plagosjes së Ervin Kodrës në Tapizë, u gjetën disa pjesë armë kallashnikovi të çmontuara.

Burime zyrtare nga grupi hetimor në Policinë e Fushë Krujës të cilët po vijojnë hetimet prej dy ditësh, pohojnë se kjo armë mund të jetë përdorur në atentat dhe pas ngjarjes është çmontuar dhe lënë brenda në mjet për t’ju vënë flaka në Valias të Kamzës, disa kilometra larg Tapizës.

Pjesët e armës si dhe makina e djegur janë dërguar në laboratorin e policisë shkencore, për të parë nëse në to kanë mbetur ose jo shenja gishtat.

35-vjeçari Ervin Kodra, ka marrë një plumb shkarazi në krahë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Fillimisht ai i tha policisë se ndodhej i vetëm në makinë por më pas i ka treguar se udhëtonte bashkë me kushëririn e tij, Durim Bamin, por pa u dhënë më shumë të dhëna të tjera mbi lëvizjet që kishin kryer para se ndaj tyre të qëllohej me breshëri plumbash.

Hetuesit kanë dyshime se Durim Bami mund të ketë qenë edhe objektivi në atentatin e dështuar, të ndodhur në Tapizë.

Burimet sqaruan se në sajë të dëshmisë së Kodrës, Bami i kishte shpëtuar paq të shtënave.

Pavarësisht kontrolleve, Bami nuk është gjetur për tu shoqëruar e për tu marrë në pyetje.

Policia nuk ka ende ndonjë të dhënë apo provë rreth autorëve, ndërsa dyshohet se shkak i ngjarjes janë konfliktet e mëparshme të Durim Bamit, i cilësuar si “i forti” i Niklës.

n.d./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!