“Atdhedashuri apo nacionalizëm?!”, si u përdor Kosova në fushatën elektorale të 2013-ës

schedule20:17 - 16 Tetor, 2021

schedule 20:17 - 16 Tetor, 2021

Në vitin 2013 Partia Socialiste, që synonte pushtetin me Edi Ramën si kandidat për kryeministër, shfaqte vetëdije të plotë për pasojat që mund të kishte lançimi i idesë së bashkimit kombëtar tek faktori ndërkombëtar. E megjithatë, duke pasur përballë një elektorat të zhgënjyer, e kishte më të lehtë t’ia rrëmbente “vargjet”patriotike maxhorancës në ikje. Një formulë e sigurt për të mbledhur vota tek një popull që ka jetuar afro një gjysmë shekulli në diktaturë, duke krijuar një ndërgjegje kombëtare lehtësisht të penetrueshme nga premtime të bëra në emër të atdhedashurisë,  pa u përballur me platforma konkrete e pa pasur llogaridhënie për konkretizimin e tyre.

E pra, retorikat me ngjyra nacionaliste e patriotike ishin kartat rezervë të  protagonistëve të skenës politike; Partisë Demokratike, që kërkonte të zgjaste qëndrimin në pushtet, e Partisë Socialiste  që pretendonte se pushtetin e donte në emër të atdhedashurisë.

Në betejën elektorale të vitit 2013, Rama do të tentonte ta çarmastoste Berishën nga retorika e bashkimit kombëtar, duke stimuluar mosbesimin e elektoratit ndaj ndikimeve që ai ka pasur në të kaluarën në raportin Kosovë-Serbi.

Mikpritjen e “veton” e besimit edhe tek shqiptarët e Kosovës,  e pat krijuar fillimisht me një retorikë gjithëpërfshirëse të trevave shqipfolëse gjatë fushatës elektorale të atij viti, e më pas me prezantimin e Programit të Qeverisë për vitin 2013-2017. Ndonëse në të nuk ishin shtruar zgjidhje praktike, kryeministri i sapo zgjedhur, duke u distancuar e kritikuar çdo formë nacionalizmi, do të pretendonte se vizioni i tij dhe i Qeverisë që ai do të drejtonte, do të ishte patriotik.

Në programin e qeverisë së tij do të projektoheshin premtimet e fushatës zgjedhore që shikonin një Shqipëri Europiane , si një model frymëzimi në rajon, e një qeveri që zotohej se do të kujdesej për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës. Prioritet në program i jepej   po ashtu trajtimit të  çështjes çame. Ndërsa hapat për të asistuar në procesin e njohjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare, do të vinin bashkë me një sërë paketash që nxisnin bashkëpunimin mes dy vendeve, si ajo ekonomike, energjetike, e arsimit, kulturore apo e trashëgimisë. Me këto premisa, Ramës do ti ofrohej një pritje e ngrohtë në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë, në 13 shtator të vitit 2013.

Si në vizitën e parë të Berishës kryeministër në 1-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, edhe kryeministri i radhës në Kuvendin e Prishtinës nuk mund ta privonte fjalimin e tij nga notat patriotike, historia e heronjtë e lavdishëm si dhe vizionit futurist të përbashkët,  si dy shtete shqiptare.

Në fillim të mandatit si kryeministër dhe me vrullin për të arritur aspiratat europiane Edi Rama në atë kohë, e as qeveritarët e shtetit 5-vjeçar të Kosovës, nuk lakonin zëlartë idenë e ndonjë forme tjetër të bashkimit kombëtar, veçse në strategjitë politike, të cilat do të nënshkruheshin në disa mbledhje qeveritare. /Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!