Atalanta “pa mëshirë” ndaj Napoli/ Pano: Napoli nuk është favorit, Çobani: Është një humbje e rëndë 

schedule22:16 - 3 Nëntor, 2024

schedule 22:16 - 3 Nëntor, 2024

Mund të thuhet se janë mes pretendentëve për fitimin e titullit kampion.

Atalanta e Berat Gjimshitit ka arritur një tjetër sukses të madh në elitën e futbollit italian, me “Zikaltërit” nga Bergamo, që kanë mundur të fitojnë me shifrat e thella 3-0 në transfertën e “Diego Armando Maradona”, ndaj Napoli, në sfidën e vlefshme për javën e 11-të të Serie A, pas dopietës së Ademola Lookman dhe golit të belgut, Charles De Ketelaere.

Mbi këtë temë u fol edhe në studion e “E Diela Sprint”, nga gazetari Maks Tashi, në ABC Neës, ku të ftuar ishin trajnerët Ledjo Pano e Ardjan Mema, si edhe specialistët e futbollit Ermal Tahiri dhe Artur Çobani.

Sipas teknikut Ledjo Pano, mënyra se si Conte drejton “Blutë” e Napoli është goxha konservatore, megjithatë skuadrat e tjera nuk duhet të harrojnë që Napoli nuk ka asnjë impenjim tjetër përveç kampionatit.

Në krahun tjetër, specialistët e futbollit Ermal Tahiri dhe Artur Çobani e konsideruan të rëndë humbjen e kësaj të diele të Napoli, si dhe vlerësuan jo pak skuadrën e Atalanta, të cilën e shohin mes pretendentëve në garën për titullin e Serie A.

Biseda në studio:

Ledjo Pano: Ka diçka, mënyra se si Conte e bën ekipin mua nuk më ka pëlqyer, që te Juventus, apo dhe në kohën kur drejtonte Chelsea dhe Tottenham. Të njëjtën gjë po bën edhe te Napoli, është një teknik konservator.

Nuk mund të thuhet se Napoli është favorit për trofeun, kur ke një ekip si Inter i cili e ka merituar të fitojë kampionatin, megjithatë nuk duhet të harrojmë edhe faktin që ata nuk luajnë në Evropë dhe janë më “pushim” se skuadrat e tjera.

Ermal Tahiri: Në këtë ndeshje, ekipi ka pësuar nga ana difensive, pasi deri para kësaj ndeshjeje nuk kishte pësuar më shumë se 5 gola, por, ajo çka nuk na pëlqeu neve ishte pjesa që ata nuk reaguan, megjithatë ata nuk duhet të merkosen, pasi kampionati është i gjatë.

Në krahun tjetër, Atalanta ka shumë vite që luan një futboll të bukur, shet lojtarë, ka një trajner që di të menaxhojë mirë, ka ekipet e moshave dhe sot kanë arritur të vijnë në këto nivele, nuk është e çudithsme që Atalanta është në vendin e dytë.  ,

Artur Çobani: Një 0-3 kur je pretendente është e rëndë. Ishte për nga rëndësia e njëjta sfidë si Real Madrid-Barcelona, por ajo çfarë Napoli nuk bëri si Reali ishte të sulmonte. Unë nuk pashë lojë nga Napol. Nuk kërkuan rezultat.

Atalanta është mes favoritëve. Në vendin e parë janë gjithmonë ekipet “klasike”, Inter, Juventu apo Milan, megjithatë edhe ata kanë qenë gjithmonë pas tyre, në krahun tjetër Napoli nuk më bind fare në garën për titullin kampion. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!