Ditë feste në Bergamo. Kualifikimi i Atalantës në 16 skuadrat më të mirë në Champions League i ka lumturuar tifozët e ekipit italian, ndërsa drejtuesit po punojnë për të përforcuar në janar organikën e Gasperinit.
Gazzetta dello Sport zbulon objektivin e madh të klubit dhe ai është Mattia Caldara. Kjaer nuk ka bindur dhe pritet të largohet, ndërsa 25-vjeçari i Milanit shihet si goditja e duhur për repartin e mbrojtjes.
Caldara “shpërtheu” tek Atalanta, e njeh mirë klubin, ambientin dhe atë çfarë kërkon trajneri. Edhe Jean-Claire Todibo i Barcelonës pëlqehet shumë, por 19-vjeçari duket i destinuar të transferohet te Milani.
Qyteti i Bergamos do të nderojë edhe një nga lojtarët simbol të kësaj Atalante fantastike. Papu Gomez është pjesë e klubit prej vitit 2014 dhe mban shiritin e kapitenit. Argjentinasi është shumë i lidhur me ngjyrat zikaltër dhe ka refuzuar oferta të shumta gjatë këtyre viteve.
Lojtari ofensiv do të shpallet “Qytetar Nderi” me datë 23 dhjetor, një vlerësim për kontributin sportiv dhe besnikërinë ndaj Atalantës, që ka nisur përgatitjet për ndeshjen e së dielës kundër Bologna në transfertë. /abcnews.al