“Ata nuk duhej të ishin heronj!”, mjekët që vrau Covid-19 në Itali

schedule12:27 - 16 Prill, 2021

schedule 12:27 - 16 Prill, 2021

Nga Greta Privitera, Politico.eu

Milano – Në kulmin e valës së parë të pandemisë së koronavirusit vitin e kaluar, provinca italiane e Bergamos u detyruar të thërriste kamionët e ushtrisë për të transportuar qindra arkivole pasi krematoriumet e qytetit ishin tashmë mbi kapacitetin e tyre.

Ndër viktimat e para të virusit ishin mjekët e përgjithshëm, të cilët si pasojë e nën-financimit për dekada të sistemit të kujdesit shëndetësor dhe mbylljes së spitaleve të vogla provinciale, ishin bërë burimi i vetëm i shumë italianëve.

Maskat e fytyrës nuk ishin ende të detyrueshme apo lehtësisht të disponueshme, madje as për mjekët. Për këtë arsye, shumë prej tyre do të sëmureshin. Që nga fillimi i pandemisë, të paktën 340 mjekë kanë vdekur në Itali nga ndërlikimet shëndetësore që ka shkaktuar koronavirusi, dhe shumica ishin mjekë të përgjithshëm.

Valeria Leone, burri i së cilës, Vincenzo ishte mjek dhe vdiq në marsin e vitit të kaluar në moshën 65 vjeçare, e krahasoi fatin e këtyre mjekëve me atë të ushtarëve italianë që u dërguan në frontin rus gjatë Luftës së Dytë Botërore pa këpucë.

Shumë pak prej tyre u rikthyen gjallë në shtëpi. “Kjo është ajo që ndodhi edhe me bashkëshortët tanë. Rajoni i Lombardisë dhe shteti nuk i mbrojti ata, dhe nuk na mbrojti as ne, familjet e tyre”-tha ajo për POLITICO.

Valeria dhe burri i saj Vincenzo u njohën dhe u lidhën bashkë që në shkollën e mesme në Siçili, përpara se të transferoheshin në Bergamo për të rritur fëmijët e tyre, Carlo dhe Giacomo. Në 1-vjetorin e vdekjes së tij, Leone tha se ishte “duke e ri-jetuar ato ditë ferri”, dhe ndjeu se “dhimbja e saj është e përzier me zemërimin”.

“Rajoni i Lombardisë i dërgoi burrit tim vetëm një veshje mbrojtëse. Ai u përpoq nëçdo rast të mbante një distancë të sigurt, por në ato kushte ishte e pamundur qëtë mos sëmurej”- shprehet e indinjuar Leone.

Kur Vincenzo nisi të ketë një kollë të fortë dhe pak ethe, shërbimet shëndetësore të qytetit ishin tashmë të mbingarkuara me pacientë të sëmurë me Covid-19.“Ne u përpoqëm t’i telefononim urgjencës, por askush nuk mund të përgjigjej pasi tashmë ishin të gjithë të zënë”- kujton Valeria e përlotur.

Ajo e çoi të shoqin në spital me makinën e saj. Ndërsa ai po futej me barelë në dhomën e urgjencës, një arkivol doli nga dera e kundërt.“Burri im më pa dhe pëshpëriti:Shenjë e keqe, Valeria!”-rrëfen ajo. Ajo e ledhatoi në kokë dhe i tha të mos thoshte budallallëqe.

Ishte hera e fundit që ata e panë njëri-tjetrin.“Unë jam e zemëruar, pasi ndërsa Vincenzo po vdiste, po niste fushata e solidaritet me heronjtë e mjekësisë”-shtoi ajo më tej, duke iu referuar përpjekjeve – në Itali dhe kudo – për të vlerësuar punën e mjekëve, duke duartrokitur për ta çdo mbrëmje dhe nderuar sakrificat e tyre.“Ata nuk duhej të ishin heronj. Ata duhet të ishin ndihmuar nga vendi i tyre!”-thekson Valeria.

Kur bashkëshortit të Maria Corrada Cassara, Antoninos, i mbaruan maskat në shkurtin e vitit të kaluar “ai shkoi në të gjitha farmacitë në qytet, por nuk gjeti asgjë”, kujton ajo. Ai u përpoq të gjente disa copë në agjencinë shëndetësore rajonale, por nuk mori asnjë përgjigje dhe për pasojë u “detyrua të bënte vepra heroike”, dhe të punonte pa asnjë pajisje mbrojtëse, thotë Corrada Cassara, mësuese e letërsisë në shkollën e mesme.

“Ai duhej të kujdesej për shumë pacientë. Kështu që ai e bëri detyrën e tij. Në fund të shkurtit të vitit të kaluar, ai erdhi nga puna duke u dridhur dhe me dhimbje koke. Të nesërmen, u zgjua me një temperaturë të lartë, dhe prej atij momenti nisi kalvari i tij.

Një nga mesazhet e fundit që më dërgoi nga spitali ishte një foto me një maskë oksigjeni, ku shkruante:“Dukem si një astronaut, shih si jam katandisur!”- kujton Corrada Cassara. Antonino u intubua dhe vdiq në fund të marsit 2020, në moshën 66 vjeçare.

Maria thotë se është shumë e zemëruar me autoritetet e rajonit të Lombardisë, për të cilat ajo tha se nuk kanë mësuar nga gabimet e hershme.“Me kalimin e kohës, dhimbjes i është shtuar zemërimi. Ata janë shumë të paorganizuar. Pas vdekjes së burrit tim, më thirrën dhe më thanë se kishin mbërritur tashmë mjetet e tij personale të mbrojtjes, por Antonino kishte vdekur tashmë”- shprehet ajo.

Maria dhe Antonino ishin bashkë për 47 vite. Ata ishin afër pensionit, dhe kishin nisur ta imagjinonin jetën e tyre së bashku pa punë. Nëse autoritetet do të kishin qenë më kompetente, Antonino do të ishte akoma gjallë, thotë ajo.

Maria Mariani, një mjeke e përgjithshme, ishte e para që u sëmur në familjen e saj. Por ishte bashkëshorti i saj, Michele, gjithashtu mjek në profesion, ai që do të mposhtej nga sëmundja. Ai ishte 67 vjeç. Ajo që e lëndon më shumë Marian është teksa sheh djalin e saj që po rritet pa baba.

“Befas e gjeta veten në një pozitë ku duhej të plotësoja edhe rolin e burrit tim. Edhe pse dija shumë pak për këtë, duhej t’i shpjegoja djalit tim se si funksionon motori në makinë, ndërsa ai kishte nisur kursin e patentës. Ishte diçka që ata donin ta bënin bashkë”-kujton ajo.

Ajo dhe djali i saj ndihen të izoluar dhe të vetmuar, sidomos kur pandemia i pengoi të kalonin Krishtlindjet me familjarët e tyre. “Ne jemi të dëshpëruar. Edhe pacientët e burrit tim janë të trishtuar. Brenda një nate ata e gjetën veten pa asnjë pikë referimi”- shprehet ajo mes lotësh.

Ajo u emocionua akoma më shumë kur hapi derën e zyrës së burrit të saj. Thotë se nuk kishte qenë atje për më shumë se një vit.“Deri në fund, Michele ishte e shqetësuar për ne.

Për ta nxitur të qeshte sadopak në spital, i dërgova fotot e djalit tonë, që po bënte shkollën nga shtëpia i veshur me pizhame”- thotë ajo. Ndërkohë edhe Alessandra Lombardo, një pianiste dhe mësuese muzike, humbi në këtë pandemi burrin e saj, Gianbattistsa, gjithashtu një mjek i përgjithshëm.

Edhe historia e bashkëshortit të saj është e ngjashme. Ai shkoi në punë pa mjete mbrojtëse, duke mos dashur që të braktiste pacientët e tij. Kur u sëmur, u dërgua në një spital, ku u intubua dhe në një moment u duk sikur po shërohej.“Ai doli nga intubimi, dhe ne ishim të sigurt se do të kthehej në shtëpi. Ai na mori në telefon, na shkroi mesazhe, dhe ishte shumë i lumtur.

Por një ndërlikim i papritur e zhbëri atë përparim, dhe ai vdiq shumë shpejt. Ishte një mbrëmje e së mërkurës hera e fundit që fola me të. Ai më pa në sytë e mi në një mënyrë të çuditshme. Unë mund ta shihja gjithë ankthin që po përjetonte ai”- kujton Lombardo. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al