Dukej si një dridhje e vogël yjesh në qiellin e natës. Por vëzhgimi më i detajshëm nga astronomët zbuloi se kishin regjistruar shpërthimin më të madh kozmik të vëzhguar ndonjëherë.
Ky episod yjor besohet të jetë shkaktuar nga një re gjigante gazi që u “gëlltit” nga një vrimë e zezë supermasive.
Shpërthimi, 8 miliardë vite dritë larg, është dhjetë herë më verbues se çdo supernova e regjistruar ndonjëherë. Deri më tani, ai ka zgjatur mbi tre vjet, gjë që e bën atë shpërthimin më “aktiv” të regjistruar ndonjëherë.
“Për një vit mbeti pa u vënë re, pasi gradualisht filloi të bëhej më e ndritshme”, vëren Dr. Philip Wiseman, një astronom në Universitetin e Southampton dhe kreu i vëzhgimeve.
Vetëm kur u zbulua sa larg ishte astronomët filluan të kuptonin shkallën e paimagjinueshme të madhe të ngjarjes astronomike.
“Ne llogaritëm se ky është një top zjarri njëqind herë më i madh se sistemi ynë diellor dhe me një shkëlqim 2 trilion herë më të madh se dielli. Brenda tre viteve, ky episod lëshoi rreth 100 herë më shumë energji sesa dielli do të lëshojë gjatë jetës së tij 10 miliardëvjeçare”, shpjegon Wiseman.
Shkencëtarët vlerësojnë se shpërthimi, i njohur si AT2021lwx, është rezultat i një reje gjigante gazi, ndoshta mijëra herë më e madhe se dielli ynë, duke u thithur nga forcat e fuqishme gravitacionale të një vrime të zezë supermasive.
Shkencëtarët përshkruan gjetjet e tyre mbresëlënëse në revistën shkencore Monthly Notices of the Royal Astronomical Society. /abcnews.al