“Aspirinat” për “hakmarrje”, Xabi Alonso kërkon finalen e Europa League

schedule13:36 - 19 Prill, 2024

schedule 13:36 - 19 Prill, 2024

Tashmë “lufta” ka nisur, me teknikun Xabi Alonso, që ka vënë “Ujkonjat” në “shënjestër”. “Aspirinat” e Bayer Leverkusen eleminuan “Çekanët” e West Hamin në çerekfinalet e Europa League, duke barazuar 1-1 ndeshjen e kthimit në Londër dhe falë fitores 2-0 në ndeshjen e parë fitoi biletën për në gjysmëfinale, ku do të përballen me “Verdhekuqtë”.

Pikërisht si vitin e kaluar, kur Roma që drejtohej nga Jose Mourinho fitonte 1-0 ndeshjen e parë dhe barazonte 0-0 në “Bay Arena”, duke shkuar në finalen e madhe për t’u mundur më pas nga Sevilla, mirëpo duket se këtë herë do të jetë diçka tjetër, të cilën Alonso e konsideron, si një “mundësi të dytë”.

“Jemi të lumtur që jemi në gjysmëfinalet e Europa League, dhe jemi të lumtur që jemi sërish kundër Roma-s. Një skuadër ndryshe nga viti i kaluar. Ata kanë një trajner të ri, i cili ka patur një impakt të jashtëzakonshëm. Roma ka lojtarë të rinj. Nuk dua të them që duam ‘hakmarrje’, por futbolli të jep mundësi të dyta. Dhe neve na ka dhënë atë për të demonstruar se jemi më të mirë duke provuar të mposhtim italianët”,- u shpreh tekniku “bask”.

Xabi ende nuk i ka studiuar “Verdhekuqtë” e De Rossi, por e ka mirë në mend përballjen e dyfishtë të sezonit të kaluar. Ai ishte te Leverkusen prej disa muajsh, por ia kishte dalë të transformonte një skuadër që e kishte marrë në luftë për mbijetesën. Duke bërë rrugë në kompeticionet europiane. Ai duel i dyfishtë i ka dhënë mësime që kërkon t’i vërë në praktikë.

“Në ato dy përballje me Roma-n kuptuam se në këto nivele diferencën e bëjnë detajet. Është një sezon i ri, jemi dy skuadra të ndryshme, edhe pse shumë lojtarë që ishin vitin e kaluar janë ende te Roma. Jam i sigurt se edhe ndeshjet do të jenë ndryshe.

Besoj se kemi lojtarë të shkëlqyer dhe që eksperienca e vitit të kaluar do të na ndihmojë. Por duhet të kuptojmë si ta përdorim në mënyrë pozitive. Nuk dua të them se vitin e kaluar ishim përgatitur keq, por tani jemi përgatitur më shumë, e dimë se çfarë na pret. Në një gjysmëfinale kupash duhet të kuptosh momentin, të jesh cinik kur ke shansin për të shënuar”,- u shpreh tekniku spanjoll.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!