Në prag të sezonit turistik, subjektet që operojnë në plazhe do të kenë 0 tolerancë për ngritjen e strukturave të betonit përgjatë vijës bregdetare. Në një takim me prefektët e 12 qarqeve të vendit Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro kërkoi që të kontrollohet territori për të mos lejuar abuzime.
Aktualisht ka përfunduar procesi i ndarjes së stacioneve të plazheve dhe pritet miratimi i ndërtimit të strukturave të përkohshme të shërbimit.
“Çdo bashki ka marrë listën me subjektet e miratuara, çka i jep mundësinë Agjencisë Kombëtare të Bregdetit të lidhë kontratat definitive dhe subjektet të fillojnë të ndërtojnë beach-baret. IKMT do të jetë në territor për të verifikuar që leja e dhënë për një strukturë të lehtë të çmontueshme të mos kthehet në beton. Janë leje të përkohshme ndërtimi. Iku koha kur fillohej me një barakë dhe përfundohej me një pallat. Këtu nuk do të ketë tolerancë”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Kumbaro u ndal edhe tek subjektet që operojnë si operatorë turistikë detarë, të cilët nuk do të lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre nëse nuk janë të pajisur me certifikatë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit
“Asnjë operator që nuk është i pajisur me certifikatën e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit nuk do të lejohet të kryejë këtë aktivitet. Policia e shtetit në bashkëpunim me flotën e dedikuar të policisë kufitare do të jetë në territor gjatë gjithë kohës për t’i kontrolluar”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Në 3 muajt e parë të vitit 2024, shifrat flasin për 60% më shumë flukse hyrëse të turistëve të huaj në vendin tonë, ndërsa pritshmëritë janë për rreth 14 milionë vizitorë.
“Është detyrë e drejtpërdrejtë e bashkive. Për sa i përket bashkisë Himarë, Sarandë, Vlorë, Rrogozhinë, Kavajë, bashkia Durrës dhe bashkia Shkodër, këtë vit do të jenë pjesë e operacionit “Plazhe të Pastra” ku nga data 15 qershor deri në datën 15 shtator, Agjencia Kombëtare e Bregdetit do të dublojë, do të dyfishojë kapacitetin e pastrimit me një operator suplementar”, vijoji ministrja Kumbaro duke theksuar se çelësi i sukesit në këtë proces është koordinimi dhe bashkëpunimi. /abcnews.al