Ukrainasja Oksana Genkina, e cila jeton në Shqipëri, dha një intervistë për emisionin “Lufta dhe Paqja” me gazetarin Artur Zheji, ku rrëfeu përjetimet rreth asaj që po ndodh në Ukrainë. Ajo tha se familja e saj ndodhet ende në Kharkiv ndërsa shtoi se asnjë ukrainas s’e ka menduar se do të kishte luftë.
“Pavarësisht se është më e lehtë se ukrainasit e mi që ndodhen aty, nuk është e lehtë. Një pjesë e familjes vazhdon të jetojnë në Kharkiv. Asnjë ukrainas se ka menduar se një ditë do të fillojë lufta sepse të gjithë e dimë që në kohën e BS, pavarësisht se janë dy shtete me vete, nuk ka menduar njeri se do të luftojë Rusia kundër Ukrainës.”
Ndërkohë, gazetari Artur Zheji e pyeti edhe për akuzat që ka ngritur Putin se do të bënte ‘denazifikimin’ dhe se do të shëronte popullin ukrainas nga nazistët që kanë uzurpuar pushtetin. “A mendoni se ka pasur një kërcënim nazist?”, e pyeti Zheji, “Patjetër që jo. Kjo është përralla e radhës e agresorit.”, tha ajo./abcnews.al