Asnjë medalje për “elitarët”, Qerimaj e Calja e mbyllin Kampionatin Botëror të Peshëngritjes

schedule19:16 - 11 Shtator, 2023

schedule 19:16 - 11 Shtator, 2023

Që prej 4 shtatorit, në Rijad, të Arabisë Saudite është duke u zhvilluar Kampionati Botëror i Peshëngritjes, eveniment në të cilin marrin pjesë dhe shumë sportistë elitarë shqiptare, si Erkand Qerimaj apo Briken Calja.

Pikërisht këta dy të fundit kanë përfunduar këtë të hënë konkurrimin e tyre në Botëror, teksa të dy garuan në peshën 81 kg, peshë kjo jo-olimpike, por asnjë nga sportistët nuk arriti të siguronte një vend në zonën e medaljeve.

Qerimaj regjistroi 156 kg në stilin e shkëputjes, duke u renditur i pesti në botë. Ndërsa në shtytje nuk shkoi më shumë se vendi i tetë me 182 kg, për ta mbyllur dygarëshin me 338 kg në vend të shtatë.

Në krahun tjetër, Calja garoi nga Baterinë B, ku me 150 kg në shkëputje u klasifikua në vend të dhjetë, ndërsa në shtytje bëri një paraqitje të mirë, teksa zuri vendin e shtatë, me 187 kg. Kështu me 337 kg gjithsej, Briken Calja e përfundoi dygarëshin në vend të tetë në botë. /i.m /abcnews.al