Asllani titullar, Inter barazon/ Mesfushori shqiptar krijon golin që “shpëtoi” zikaltërit

schedule12:34 - 18 Qershor, 2025

schedule 12:34 - 18 Qershor, 2025

Nuk ishte fillimi i duhur, por tifozët shqiptarë janë të kënaqur. Interi barazoi ndaj rivalit meksikan, Monterrei, në ndeshjen e tij të parë në Kupën e Botës për Klubet, ndërsa titullar ishte Kristian Asllani.

Mesfushori I kombëtares shqiptare, edhe pse nuk bëri një paraqitje të shkëlqyer, sërish u tregua aktiv në pjesën e parë, duke marrë pjesë në aksionet e nënkampionëve të Europës, duke ekzekutuar saktë goditje nga këndi dhe goditje dënimi.

U tregua I zgjuar në minutën e 42-të, kur nga pasimi i tij u krijua goli i barazimit për Interin, shënuar nga kapiteni Lautaro Martinez.

Një skemë e provuar në stërvitje, si mënyrë interpretimi e një goditjeje dënimi para zonës.

Asllani ishte në fushë 68 minuta dhe u zëvendësua nga ylli i ri kroat, i ardhur këtë verë nga Dinamo e Zagrebit, Petar Suçiç.

Zikaltërit nuk ishin në nivelin e duhur, pavarësisht se patën epërsi në lojë ndaj meksikanëve.

Një gabim në mbrojtje bëri që ish-kapiteni I Realit dhe I Spanjës, Sergio Ramos, të kalonte Monterrein në epërsi që në minutën e 25-të.

Besohet se trajneri i ri, Kristian Kivu, ka shumë punë për të bërë, edhe pse deklaroi më pas se ishte I kënaqur nga përpjekjet e lojtarëve të tij.

Nga ana tjetër, pritet se cila do të jetë e ardhmja e Kristian Asllanit, I cili më parë do të përpiqet të shkëlqejë në Botërorin e Klubeve, dhe pse jo ta fitojë trofeun me Interin.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!