Asllani shkëlqen në Japoni, mesfushori luan në pjesën e dytë të miqësores Inter-Al Nassr

schedule23:42 - 27 Korrik, 2023

schedule 23:42 - 27 Korrik, 2023

Sërish nuk ishte që nga minuta e parë, por gjithsesi për të duhet folur.

Kristjan Asllani e filloi nga stoli miqësoren e Interit ndaj Al Nasrit në Japoni, veçse trajneri Simone Inzagi vendosi ta aktivizonte menjëherë pas pushimit, dhe 21-vjeçari e tregoi veten.

Pasi zëvendësoi Hakan Çalhanoglunë, mesfushori kuqezi u tregua tepër aktiv dhe madje tentoi portën e sauditëve.

Dy herë ai u përpoq të shënonte, dhe sidomos gjuajtja e dytë nga jashtë zone iu afrua shumë rrjetës, duke përfunduar fare pranë shtyllës.

Asllani shpreson që të ketë më shumë minutash këtë sezon, diçka që nuk e pati edicionin e kaluar, ndërsa situata mund të përmirësohet me largimin e kroatit Marcel Brozoviç pikërisht tek Al Nasri.

Shqiptari nuk ishte në fushë së bashku me yllin e sauditëve, Kristiano Ronaldon, pasi portugezi doli nga fusha në kohën që ai hyri.

Përsa I përket miqësores, ajo përfundoi 1-1, madje ishin arabët që kaluan të parët në avantazh.

Abdulrahman Garib shënoi për skuadrën aziatike, ndërsa Davide Fratezi barazoi një minutë përpara përfundimit të pjesës së parë.

Në 1 gusht, Interi do të luajë miqësoren e radhës ndaj Paris SG, veçse këtë herë jo në Osaka, por në Tokio./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!