E pamundur që një moment i vetëm të ndryshojë një sezon. Kristian Asllani sërish mbetet me valixhet gjysmë të hapura tek Interi, por gjithsesi, më në fund për shqiptarin erdhi një ditë vërtet e bardhë.
Mesfushori i kombëtares shqiptare e tregoi veten lojtar të denjë për Serinë A, në të cilën jo gjithmonë ka pasur mundësi të luajë minutazhin që dëshiron. Për më tepër, prishi “agjërimin” e golit, pasi kishte më shumë se një vit pa shënuar në Serinë A.
Për herë të fundit, 23-vjeçari e gjeti rrugën e rrjetës në kampionat, në 3 prill 2024, kur realizoi mjaft bukur në portën e Xhenoas, gjithnjë në “San Siro”. Duket se tempulli I futbollit milanez I sjell fat, sepse pikërisht në këtë stadium ka shënuar të gjithë golat e tij në Itali, në futbollin profesionist të të rriturve.
E bëri edhe në Kupën e Italisë këtë edicion, madje direkt nga goditja e këndit kundër Udinezes, dhe gjithashtu në “San Siro” realizoi për Empolin pikërisht kundër Interit. Fitorja ndaj Veronës këtë fundjavë ishte e rëndësishme sepse mban gjallë shanset për titull, ndërsa Asllani nuk foli për vete.
“Ishte shumë e rëndësishme që të fitonim, sepse e dimë sesa e rëndësishme është sfida e së martës. Kur fiton, je më I sigurt, ndaj jemi të kënaqur për këtë fitore, dhe duhet ta përgatisim mirë ndeshjen e së martës. Ne jemi mësuar të luajmë çdo dy apo tri ditë. Më parë menduam për Veronën, dhe tani për Barcelonën. Besoj se tifozët do të na ndihmojnë si në ndeshjen ndaj Bajernit, ndaj I presim në stadium dhe jemi të sigurt se ata do të jenë lojtari ynë I 12-të”.
“Eurosporti” vlerëson guximin për të marrë përsipër 11-metërshin dhe mënyrën sesi e ekzekutoi, ndërsa thekson se ky ishte goli i tij i dytë sezonal. E njëjta notë, 6.5, iu dha edhe nga “Skaj Sporti”, madje media e njohur e zgjodhi Asllanin si lojtarin më të mirë të ndeshjes!
Më e lartë është konsiderata e të përditshmes së shquar italiane, “Il Korriere dela Sera”, që I jep Kristianit 7, dhe thekson se bëri të harrohet Çalhanoglu! Le të shpresohet që shqiptari të vazhdojë tek Interi, ndonëse nuk do të jetë e lehtë.