Për plot 26 ndeshje radhazi është qind për qind në fushë. Nëse përjashtojmë miqësoren ndaj Gjibraltarit kur trajneri Silvinjo e mbajti në stol, Kristian Asllani ka luajtur të gjitha minutat me kombëtaren, dhe kjo si askush tjetër.
Që nga 10 shtatori 2023, në fitoren 2-0 ndaj Polonisë në eliminatoret e Kampionatit Europian, e deri tek humbja e së dielës 0-2 kundër Anglisë në Botëror, mesfushori kuqezi është aktivizuar gjatë gjithë kohës, dhe ka dhënë një kontribut të madh.
Asllani mund të quhet “maratonomaku” I ekipit përfaqësues në eliminatoret e Kupës së Botës, pasi është lojtari me më shumë minuta në fushë, 720, që do të thotë 8 ndeshje të plota.
Nuk harrohet goli në Andorrë, në fitoren që siguroi kualifikimin për në plej of, edhe pse rrjeta ishte fryt I një aksioni nisur nga Bajrami dhe asistuar nga Uzuni.
Ylli I Torinos në Serinë A I ka dhënë Shqipërisë 6 pikë të plota me golat e tij, pasi realizoi edhe penalltinë në fitoren 1-0 ndaj Letonisë në “Arenën Air Albania”.
Po ashtu, asistoi golin e parë të Rej Manajt kur mundëm 3-0 Andorrën në Tiranë, si dhe nisi aksionin e rrjetës historike në Serbi, vazhduar nga Gjimshiti e Ajeti përpara sesa Manaj ta dërgonte topin në rrjetë.
Në total, Asllani ka 38 ndeshje me kombëtaren, me 5 gola e 3 asistë.
Pas tij, më shumë minuta në këto eliminatore pati portieri Tomas Strakosha, 712, I cili humbi vetëm 8 minuta në “Uembli” përballë Anglisë.
Gardiani kuqezi priti penallti në Letoni, duke qenë njëri nga më të dalluarit në ekipin e Silvinjos.
Në vazhdim, më shumë minuta patën Qazim Laçi me 617, kapiteni Gjimshiti 607 dhe shoku i tij i mbrojtjes, Ajeti 540, ndërsa autori I tre golave, Rej Manaj, pati gjithsej 473 minuta, më pak se Armando Broja me 487.

