Asllani “kërcënon” Canën/ Mesfushori i kombëtares ka 17 ndeshje në Champions

schedule12:43 - 23 Mars, 2025

schedule 12:43 - 23 Mars, 2025

Është tepër i ri, dhe nëse i shkojnë gjërat mbarë mund të arrijë lart.

Kristian Asllani, përtej kritikave dhe aktivizimit me “pikatore” mbetet një yll i futbollit shqiptar i destinuar për rekorde dhe shpreson të thyejë një vërtet të rëndësishëm.

Mesfushori i Interit është vetëm një ndeshje larg në Ligën e Kampionëve nga ajo që ka arritur ish-kapiteni kuqezi Lorik Cana.

Shqiptari nga Kosova luajti në karrierë 18 ndeshje në Champions, duke qenë një nga të paktët e ekipit përfaqësues që arriti edhe të shënonte gol.

Asllani, me aktivizimin ndaj Fejnordit në fitoren 2-1 në “San Siro” në 11 mars, kapi kuotën 17.

Pra, duhet vetëm një dalje në fushë për t’u barazuar me legjendën e mbrojtjes, dhe dy ndeshje për ta kaluar.

Besohet se kjo do të ndodhë në 8 prill, kur Interi do të luajë në fushën e Bajernit, në çerekfinalen e parë të këtij sezoni, dhe nëse do të vazhdojë të aktivizohet nga trajneri Inzagi, do të mundë ta lerë pas Canën.

Sidoqoftë, do t’i duhet pak më shumë për të qenë në nivelin e një tjetër lojtari të njohur të Shqipërisë.

Rekordin e ndeshjeve në Champions për futbollistët kuqezinj e mban Taulant Xhaka, që ka luajtur gjithsej 26 të tilla.

Për Asllanin janë të gjitha mundësitë që të jetë ai rekordmeni i ri sepse është vetëm 23 vjeç, por do të duhet të luajë patjetër me Interin apo me një tjetër skuadër të fortë që t’i garantojë futboll të Ligës së Kampionëve edhe për edicionet e ardhshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!