Asgjë mbi skafin e tragjedisë, Nano nga Dhërmiu: Kam dalë vetë në aksion, policia po punon ditë e natë për sigurinë tuaj

schedule14:48 - 3 Gusht, 2022

schedule 14:48 - 3 Gusht, 2022

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano tha nga Dhërmiu përmes një videoje të regjistruar se tani ka dalë vetë në krye të punës dhe po bllokojnë, sekuestrojnë dhe verifikojnë çdo mjet lundrues që nuk përmbush kriterët për të lundruar në det.

Lexo edhe: Pse Policia e Shtetit nuk zbardh pronësinë e skafit të krimit edhe 24 orë pas vrasjes së 7-vjeçares nga kolegu i tyre?

Nano tha se i vite keq për çfarë kishte ndodhur me 7-vjeçaren, por sipas tij, veprimi i një punonjësi policie nuk mund të përbaltte punën e mijëra burrave dhe grave që po punonin ditë dhe natë për sigurinë e qytetarëve në plazhe.

Nano gjendet në jug pas tragjedisë së vrasjes së 7-vjeçares në Potam nga një efektiv policie, i cili më herët kishte qenë i pezulluar pas hetimeve për bashkëpunim në mbjelljen e drogës me organizatat kriminale në zonë. Arjan Tase u rehabilitua dhe u rikthye në detyrë pikërisht nga Nano.

Lexo KËTU gjithçka mbi tragjedinë e djeshme

Deri më tani policia nuk ka sqaruar zyrtarisht se në pronësi të kujt ishte skafi me të cilin Tase vrau vogëlushen dhe në çfarë rrethanash polici e kishte marrë në përdorim.

Pavarësisht se autori është një punonjës policie, veprimi i një punonjësi policie nuk mund të përbaltë punën, mundin dhe djersën e mijëra burrave dhe grave të Policisë së Shtetit, të cilët punojnë ditë dhe natë për të siguruar një ambient sa më të qetë dhe sa më të sigurtë për pushuesit, gjatë sezonit turistik veror”.

Deri në këto momente, në të gjithë vijën bregdetare, janë shoqëruar, në pikat e posaçme të bllokimit, nga Ksamili në Velipojë, rreth 90 mjete lundruese “Jet ski” dhe rreth 40 mjete të tjera lundruese (skafe të vegjël dhe gomone). Operacioni vijon, pasi një pjesë e përdoruesve të mjeteve lundruese i kanë mbyllur mjetet lundruese në det dhe janë larguar“, tha ai.

Deklarata e plotë

Prej mëngjesit të sotëm, në të gjithë vijën bregdetare, nga Velipoja në Ksamil, ka nisur një operacion policor për rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe.

Të përfshira në operacion: Policia Kufitare, Delta Forcë, Policia e Rendit, Forcat “Shqiponja” dhe Policia Kriminale. Gjithashtu në operacion janë përfshirë Sektori për Krimin Ekonomik dhe Financiar dhe Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtoritë Vendore të Policisë Vlorë, Durrës, Lezhë dhe Shkodër.

Operacioni ka për qëllim kontrollin e të gjitha mjeteve lundruese, verifikimin nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik, për dokumentacionin e mjeteve dhe nëse kanë lidhje me raste të pastrimit të produkteve të veprës penale, si dhe verifikimin nga Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe nga Interpoli, nëse këto mjete rezultojnë ose jo të vjedhura jashtë vendit.

Ky operacion drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano, i cili ndodhet në Dhërmi, duke monitoruar zbatimin e detyrave të përcaktuara në këtë plan operacional.

Gjatë këtij operacioni, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka përcjellë edhe një mesazh për qytetarët:

“Në radhë të parë, dua të përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen Avdia, e cila humbi vogëlushen në një aksident tragjik, ditën e djeshme. Ne jemi përgjegjës dy herë si Polici e Shtetit, për ketë ngjarje, duke qenë se autori i kësaj ngjarjeje ishte një oficer policie. Autori i ngjarjes së djeshme është arrestuar në flagrancë, në vendin e ngjarjes. I kërkoj organeve të drejtësisë për të dhënë një dënim maksimal. Jam shumë i vendosur, siç e shikoni edhe sot, po e drejtoj vetë operacionin në Dhërmi, për shoqërimin, bllokimin dhe verifikimin e të gjitha mjeteve lundruese, dokumentacionin e tyre dhe procedurës që ata ndjekin për të dalë në det. Ashtu siç jam i vendosur për tolerancë zero ndaj çdo shkelësi të ligjit dhe rrezikimit të jetës së pushuesve, jam i vendosur dhe me tolerancë zero të ndëshkoj çdo punonjës policie i cili nuk është i denjë, shpërdoron besimin, abuzon me detyrën dhe ka neglizhencë në kryerjen e detyrës.

Dje, pas analizës së kryer nga grupi i inspektimit, kam marrë masë për shkarkimin e të gjithë zinxhirit komandues të drejtuesve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, si persona përgjegjës, me neglizhencën e tyre, në moszbatimin e masave shtesë të urdhëruara po nga unë, disa ditë më parë, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe.

Ky inspektim do të vazhdojë, analiza do të vazhdojë dhe do të shtrihet edhe më tej.

Pavarësisht se autori është një punonjës policie, veprimi i një punonjësi policie nuk mund të përbaltë punën, mundin dhe djersën e mijëra burrave dhe grave të Policisë së Shtetit, të cilët punojnë ditë dhe natë për të siguruar një ambient sa më të qetë dhe sa më të sigurtë për pushuesit, gjatë sezonit turistik veror”.

Deri në këto momente, në të gjithë vijën bregdetare, janë shoqëruar, në pikat e posaçme të bllokimit, nga Ksamili në Velipojë, rreth 90 mjete lundruese “Jet ski” dhe rreth 40 mjete të tjera lundruese (skafe të vegjël dhe gomone).

Operacioni vijon, pasi një pjesë e përdoruesve të mjeteve lundruese i kanë mbyllur mjetet lundruese në det dhe janë larguar.

Ndihmës/specialistët e Policimit në Komunitet po iu çojnë njoftime pronarëve të këtyre mjeteve, për t’u paraqitur, duke qenë se operacioni do të vijojë deri në shoqërimin e të gjitha mjeteve lundruese, me qëllim verifikimin e tyre.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët për denoncimet e bëra dhe i fton ata sërish që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të cenimit nga ana e mjeteve lundruese, të jetës, shëndetit dhe sigurisë së pushuesve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!