Asfaltohet “Rruga e Saraçëve”, Veliaj: Ndërhyjmë në çdo lagje, rrisim vlerën e pronës

schedule11:56 - 19 Shkurt, 2023

schedule 11:56 - 19 Shkurt, 2023

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj këtë fundjavë inspektoi punimet në “Rrugën e Saraçëve”, një rrugë historike e Tiranës dhe një aks shumë i rëndësishëm, i cili lidh dy prej zonave më të populluara të qytetit, “Rrugën e Dibrës” dhe Pazarin e Ri.

“Rruga e “Saraçëve” është një rruge historike e Tiranës, por duhet të pranojmë se edhe ky realitet po ndryshon. Nga njëra anë, kemi pallatet, disa janë ndërtuar në kohën e komunizmit, disa të tjera në vitet 90-të, nga ana tjetër, disa shtëpi të vjetra. Praktikisht, këtu bashkohen dy pjesë të Tiranës, Tirana e vjetër me Tiranën e re. Janë dy realitete që kanë nevojë të kenë të njëjtën cilësi në infrastrukturë”, u shpreh Veliaj.

Ai bëri me dije edhe disa investime të tjera që do bëhen në njësinë 8, siç janë ndërhyrjet në çdo lagje, duke theksuar se do i rrisin edhe më shumë vlerën pronës.

“Pasi të mbarojmë me aksin kryesor, do të vazhdojmë me gjashtë rrugicat që lidhin mëhallat dhe xhepat e vegjël mes pallateve ose shtëpive private. Pastaj, do të kalojmë te kryqëzimi i “Farmacisë 10”, për t’u zhvendosur te lagjja “Besa”, pjesa e Njësisë 8, aty ku kemi hapur edhe shkollat e reja “Kiço Blushi” dhe “Sevasti Qirjazi”, por ku kemi edhe pallatet e rindërtimit. Kjo zonë ka qenë e lakmuar kur Tirana sa u shpall Kryeqytet sepse Rruga e Dibrës ishte qendra e Tiranës së vjetër. Unë besoj se do të jetë e lakmuar për sa kohë që rrethohet nga Pazari i Ri, i cili sot është një nga hapësirat ikonë të turizmit, një hapësirë që ka fituar çmime; lipset që edhe rrugët pranë Pazarit të Ri të përfitojnë nga e njëjta vlerë e pronës dhe të përfitojnë nga i njëjti sistemim”, u shpreh Veliaj.

Nga Njësia 8, kryebashkiaku dha lajmin e mirë se javën që vjen do të hidhet shorti për 159 apartamente të tjera në lagjen e re “5 Maji”, që janë gati për të mirëpritur 159 familje.

“Javën tjetër hedhim shortin për 159 apartamente të reja te Bregu i Lumit. Janë banorë, të cilët humbën shtëpitë e vjetra për shkak të tërmetit, ose pronarë me prona të palegalizuara, banorë të Bregut të Lumit, të cilët do të marrin shtëpitë e reja. Kush beson dhe bashkëpunon shpërblehet, kush rri mbrapa partive, humbet kohë të çmuar, kohë që ne mund ta shfrytëzojmë për të mbaruar pallate dhe gjithë këtë infrastrukturë. Për 159 familjet e lagjes fillon një jetë e re, një kapitull i ri, një lagje e re dhe një komunitet i ri te super banesat e projektuara nga Stefano Boeri, me fond të qeverisë shqiptare, të zbatuar nga Bashkia e Tiranës”, tha Veliaj./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!