Për talentin e tij ishe folur shumë, megjithëse në Kombëtaren e Shqipërisë u zbulua shumë vonë. Sylvinho e ftoi për herë të parë në skuadrën “Kuqezi” në eliminatoret e Euro 2024, ndërsa besimi i tij u shpërblye me lojën dhe sidomos me golat e futbollistit.
Shkëlqimi në kualifikueset e fundit duhet të sillte dhe kapërcimin e madh në karrierën e Asanit, që pritej të largohej nga Korea e Jugut për t’u kthyer sërish në Evropë, për të luajtur në një ligë të rëndësishme, por interesimi i madh, siç ka pranuar vetë futbollisti, duket se është kthyer në një “bumerang” për të.
Ofertat nga Gjermania dhe Spanja, sollën edhe rritjen e kërkesës financiare nga ana e klubit të tij Gwangju. E nëse Asani kërkonte me ngulm shitjen, koreano-jugorët rezistuan, ndërsa kjo solli edhe një krisje mes palëve, që po pasqyrohet në rinisjen e sezonit, teksa tashmë, sulmuesi shqiptar po përballet me “hakmarrjen” e klubit dhe nga titullar është kthyer në një lojtar stoli.
Asani vazhdon të stërvitet, madje duke shënuar edhe gola spektakolar, siç bëri edhe në seancën e fundit përgatitore, megjithatë edhe kaq nuk mjafton, ndërsa fakti që nuk po luan me vazhdimësi nuk është në favorin e Jasir Asanit dhe as Kombëtares së Shqipërisë në prag të finaleve të Euro 2024, ku na pret një grup “ferri”. /i.m /abcnews.al