Jasir Asani u huazua këtë janar nga Partizani te suedezët e AIK. Sulmuesi nga Shkupi ka folur rreth aventurës nordike në “Fan Zone” në Supersport. Këto janë ditë decizive për të ardhmen e tij dhe 25-vjeçari ka shumë besim se do të vazhdojë të jetë pjesë e AIK.
AIK – “Shyqyr Zotit, jam shumë mirë. Këtu ka qenë gjithmonë hapur dhe kemi vazhduar stërvitjen. Bisedoj çdo ditë me familjen. Në Maqedoni tani janë të gjitha hapur dhe shyqyr Zotit janë të gjithë mirë. Shumë pak kam folur me shokët te Partizani. Nuk mund të flas ditë për ditë, duhet të pushojmë, sepse stërvitemi shumë”.
TIFOZËT – “Në klub na kanë thënë që mund të fillojë kampionati në 14 qershor dhe ndeshjet e para do t’i luajmë pa tifozë. Klubet duan që t’i nisim ndeshjet me tifozë. Besoj se do të fillojmë me tifozë, siç ka qenë më përpara. Gjendja është shumë e mirë”.
KONTRATA – “Sot do flasim me menaxherin. Deri të hënën, besoj do jetë marrë vendimi. Të gjithë më kanë pëlqyer shumë këtu. Për shkak të koronavirusit, nuk kam luajtur në kampionat. Besoj se do shkojnë shumë mirë gjërat dhe do të qëndroj këtu. Pse të mos paguajnë klauzolën që të rri këtu. Kam bërë paraqitje shumë të mira. Do të jemi të gjithë të kënaqur”.
TIFOZËT – “Partizani është një klub i madh. Kur shkova në fillim atje, ishte presion i madh. Kënaqësi e madhe të luash me tifozë shumë, sidomos në derbi. Me tifozë jep maksimumin, vjet fituam kampionatin me tifozë dhe stadiumin plot. Për mendimin tim, ndeshjet duhet të fillojnë me tifozë”.
SUEDIA – “Suedezet janë të ftohta shumë. Ne jemi më të afërt. Nuk kam ardhur këtu për të kapur vajza, por për të luajtur futboll. Unë mendoj se më mirë se shqiptaret, nuk ka askund. Më ka marrë malli për Tiranën. Më pëlqen të jetoj në Tiranë kur të lë futbollin”. /abcnews.al