Asambleja Zgjedhore e KOKSH: Fidel Ylli president, zgjidhet edhe Komiteti Ekzekutiv

schedule20:50 - 17 Prill, 2021

schedule 20:50 - 17 Prill, 2021

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka një president të ri. Fidel Ylli është zgjedhur me shumicë votash në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore të 24-të, që u mbajt ditën e sotme dhe deputeti i Partisë Socialiste mori 40 vota nga 57.

Ylli garonte me Vojo Malon dhe Martin Bibën, të cilët kanë marrë respektivisht 14 dhe 4 vota. Një votë doli e pavlefshme.

Fidel Ylli pason Viron Bezhanin, i cili ishte shkarkuar para pak kohësh. Ylli ka një të shkuar në botën e sportit, pasi ka qenë mundës me emër.

Para zgjedhje debatet kanë qenë të shumta. FSHF as nuk ka votuar, pasi nuk ka plotësuar dokumentacionin. Diçka e tillë ka ndodhur edhe me federata tjera.

Qeveria e futbollit në vend kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve, sikurse bëri edhe kandidati Martin Biba. Kjo kërkesë nuk u mor parasysh dhe sot u zhvilluan zgjedhjet në KOKSH.

ZËVENDËSPRESIDENTI  DHE KOMITETI EKZEKUTIV – Në Asamblenë Zgjedhore të KOKSH u votua edhe për zëvendëspresidentin dhe fitues u shpall Erlind Pëllumbi, president i Federatës Shqiptare të Volejbollit. Ai mori 29 vota, kundrejt 20 votave që mori kandidatja Denisa Rrushi. Dy vota dolën të pavlefshme.

Për të kaluar te zgjedhja e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, në votimin e parë arritën votat e nevojshme Gjergj Ruli (41 vota), Luiza Gega (32 vota) dhe Florend Kalivopuli (29 vota). Për pjesën tjetër të anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv u desh një maratonë votimesh dhe në fund dolën fitues Tatjana Marash, Enkelejda Çaushi, Endrit Hoxha, Labo Capo.

Komiteti Ekzekutiv përbëhet nga 11 anëtar dhe 7 të zgjedhurve nga Asambleja u bashkohen presidenti Fidel Ylli, zëvendëspresidenti Erlind Pëllumbi, i zgjedhur me vota për Thesarin Genc Boga, si dhe atleti Izmir Smajlaj, i përzgjedhur nga Komisioni i Sportistit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!