Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro u nis të mërkurën nga Karakasi për në Nju Jork, për të ndjekur punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Duke reaguar ndaj lajmit, që ishte mbajtur sekret nga qeveria venezueliane për arsye sigurie, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se është i hapur për një takim me Maduron. “Jam i hapur për t’u takuar me atë dhe me këdo tjetër. Unë për këtë punë ndodhem këtu”, ka deklaruar Trump nga Pallati i Qelqtë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka nënvizuar megjithatë se për zgjidhjen e krizës së Venezuelës të gjitha opsionet ndodhen mbi tryezë. “Të gjitha janë të hapura, të butat dhe të fortat dhe ju e dini mirë se cilat janë ato të forta”, ka thënë Trump për gazetarët.
Qasja e fundit e Trump është ndryshe nga ajo e vitit të kaluar, kur administrata e tij deklaroi se presidenti do të takohej me homologun Maduro vetëm pasi në Venezuelë të ishte rivendosur rendi demokratik. /abcnews.al

