Rrufe në qiell të hapur, mund të konsiderohet ajo që ndodh në KOKSH. Përmbytjet e këtyre ditëve kanë sjellë pasoja edhe në olimpizmin shqiptar, që ka të drejtën të mblidhet dhe të organizojë Asamblenë e Jashtëzakonshme në periudhë pandemie kur nuk lejohen grumbullimet.
Asgjë për t’u çuditur, kur flitet për KOKSH ku skandalet kanë qenë të njëpasnjëshme dhe janë kthyer në një normalitet. Më shumë se sa për sport është folur për çështje të tjera dhe kryefjalë ka qenë prokuroria dhe Gjykata.
Kjo e fundit do të ketë sërish punë, pasi sot u mbledh Asambleja e Jashtëzakonshme më kërkesë të 2/3-ve të anëtarëve, siç edhe e parashikon Statuti. Gjithçka ka ndodhur në fshehtësi të plotë, pa asnjë njoftim për mediat.
Zakonisht asambletë kanë qenë të hapura dhe janë transmetuar direkt në rrjetet sociale. Këtë herë nuk ka ndodhur dhe në Asamblenë e Jashtëzakonshme kanë kaluar për votim ndryshimet statutore. Tre ishin ndryshimet që ishin kërkuar, por nuk kanë gjetur mbështetje. Një prej pikave më të nxehta ishte që të përjashtoheshin nga kandidimi i personave të përfshirë në politikë në pesë vitet e fundit.
Kjo pikë prekte drejtpërdrejt deputetin Fidel Ylli, i cili besohet se do të jetë kandidat për president të KOKSH. Po sot, në Asamblenë e Jashtëzakonshme, është vendosur që të shkarkohet presidenti Viron Bezhani, me 45 vota pro dhe 9 kundër.
Këto ndryshime në Statut duhet të kalojnë në gjykatë dhe në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Bezhani është kundër kësaj që ka ndodhur dhe çështjen do e çojë në gjykatë. Mbetet të shihet nëse nyja e KOKSH do të zgjidhet njëherë e mirë, apo do të vazhdojë lëmshi i zakonshëm që kryefjalë ka akuzat.
Diçka tjetër e çuditshme në Asamblenë e Jashtëzakonshme të zhvilluar sot ishte edhe fakti që në të nuk merrnin pjesë as presidenti Viron Bezhani, as Sekretari i Përgjithshëm Stavri Bello dhe as përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. /abcnews.al