Beppe Bergomi, legjenda e Interit, ka zbuluar se ka kaluar koronavirusin. Diçka të tillë ai e ka thënë gjatë një bisede “live” në Instagram. “Kam bërë një test serologjik dhe kam dalë pozitiv për ICG dhe negativ për IGM. Në fillim të marsit isha i sëmurë, kisha probleme me shijimin e ushqimit dhe me shpinën”, tregon ish-kapiteni i Interit.
Më tej ai vijon: “Fatmirësisht nuk pata shqetësime me mushkëritë. Fati im që kisha antitrupa, por ata më shpjeguan se nuk të mbrojnë 100 për qind. Kjo sepse virusi ndryshon. Gjithsesi, nëse do të e merrja sërish virusin, do ishte në një formë më të lehtë”.
Bergomi, i cili tani punon si komentator, tregon se as nuk mund të ulej gjatë periudhës që ishte i infektuar: “Nuk kisha frikë, por gjithë kohën kisha ethe. Mendova se ishte grip. Miqtë e mi talleshin me mua dhe më thoshin se mendoja shumë për sëmundjen, por nuk isha mirë.
Nuk mund të rrija prej dhimbjeve në shpinë, qëndroja shumicën e kohës në këmbë. Pas një kohe dhimbja u largua. Gjithçka zgjati 20-25 ditë. Tani jam mirë, kam nisur edhe të vrapoj. Bëra vetëm testin serologjik. Doja të bëjë edhe tamponin, por më thanë se pas 30 ditësh duhet të isha më mirë”.
Sigurisht në fund ai foli edhe për Interin, konkretisht për Lautaro Martinez, i cili është ndër lojtarët më të kërkuar. “Do ta mbaja Lautaro, por me 110 milion euro është e vështirë. Pasuesi? Timo Werner. Ai mund të përshtatet me Lukakun. Belgu mund të luajë në qendrën e djathtë, kurse Werner në të majtën”. /abcnews.al