As në rrugën tënde…

schedule12:39 - 25 Qershor, 2021

schedule 12:39 - 25 Qershor, 2021

Nga Abcnews.al

Shqipëria u zgjua me lajmin e një tragjedie në aksin Fier-Vlorë, ku një familje u shua pasi makine e tyre u godit nga një “Audi” luksoze që po vinte me shpejtësi skëterrë nga pas.

Eduarti me Silvanën si edhe dy vajzat e tyre, Anastasia dhe Eva, njëra 14 dhe tjetra 9 vjeçe, u vranë nga papërgjegjëshmëria e tre të rinjve, të cilët ishin nisur po ashtu për pushime në jug.

Igli Madani, 22 vjeç, Fabio Lamaj, 21 vjeç dhe 24-vjeçari Glorian Selimaj, ashtu si mjaft djem e vajza baballarësh milionerë që na rrezikojnë përditë jetën në rrugë, ishin në qiellin e shtatë teksa makina e tyre luksoze çante me shpejtësi ajrin duke mos marrë në konsideratë faktin se në atë mënyrë ishin duke futur në dhe katër njerëz të pafajshëm.

Makina tip “Toyota” e familjes Gushi u deformua tërësisht nga goditja dhe përmbysja në një kanal aty pranë duke mos i dhënë mundësinë asnjërit prej tyre.

Vendi i ngjarjes ishte një tmerr i vërtetë, me foto dhe video të rënda, aq sa në redaksinë e Abcnews.al na u desh që të kërkonim mjaft mes tyre duke shmangur ato të që ishin të papërshtatshme për t’u publikuar në respekt të viktimave të pafajshme të çmendurisë së të rinjve me lekë.

Jeta vlen pak në Shqipëri, aq pak sa çdokush në raste të tilla përpiqet që të relativizojë gjithçka me togëfjalëshët “ishte aksident, askush s’e donte” apo “aksidente ndodhi kudo”.

Po, aksidente ndodhi kudo, edhe shoferë të papërgjegjshëm ka kudo, por bota e qytetëruar e ka zgjidhur këtë problematikë duke vendosur kufizime dhe dënime të ashpra për ata që kryejnë shkelje flagrante të rregullave të qarkullimit rrugor.

Sepse bota e qytetëruar, aksidente si ai sotmi në “Fier-Vlorë” i barazon me vrasjen me dashje dhe nuk i relativizon siç jemi mësuar t’i bëjmë në këtë zululandin tonë, ku nuk je më i sigurt as duke parë rrugën tënde. /e.s

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!