As Kosova nuk i bashkon, Kuvendi mban një minutë heshtje për policin Afrim Bunjaku

schedule23:19 - 2 Tetor, 2023

schedule 23:19 - 2 Tetor, 2023

Kuvendi i Shqipërisë mbajti 1 minutë heshtje në seancën e kësaj pasditeje, në nderim të policit të Kosovës, Afrim Bunjaku i cili u vra nga një skuadër kriminale serbe në 24 shtator.

Por ky ishte momenti i vetëm i përbashkimit të politikanëve tanë për këtë çështje.

Ajo që erdhi më pas ishte një lumë akuzash e përplasjesh dhe asnjë shenjë kompromisi për këtë çështje me interes kombëtar.

“Të dënohet Serbia. Ky është gjithashtu, momenti që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të veprojnë qartë dhe në mënyrë të vendosur, nëse do ta ngrejnë  në nivelin më të lartë alarmin demokratik për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit në veri të Kosovës”, tha ministri i Jashtëm, Igli Hasani.

Opozita u kundërpërgjigj përmes Gazmend Bardhit, duke akuzuar Ramën për përkrahje të Serbisë.

“Recitove statuset e Ramës”, deklaroi deputeti i PD, Gazment Bardhi.

Kuvendi dështoi të miratojë një rezolutë për ngjarjet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dëshiroj të dalim me një rezolutë”, u shpreh kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli.

Palët e shtynë hartimin e një rezolute për seancën tjetër. Në emër të PD-së për Kosovën janë vendosur paralel dy nisma. Krahu i Gazment Bardhit propozon të miratohet një rezolutë ku dënohet akti dhe i vihet fajësia Serbisë, ndërsa Krahu i Lulzim Bashës kërkon interprelancë me Edi Ramën duke kundërshtuar thirrjen e tij që KFOR të marrë nën kontroll veriun e Kosovës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!