Christian Eriksen është tema e momentit në futboll. Fantazisti nordik i trembi të gjithë në sfidën e ditës së djeshme në Euro 2020, Danimarkë-Finlandë. Lojtari i Interit pësoi një arrest kardiak në fundin e pjesës së parë, por mjekët kryen një punë fantastike dhe e mbajtën në jetë.
Giuseppe Marotta, CEO i zikaltërve, ekip me të cilin lojtari danez fitoi titullin kampion në Itali, ka folur rreth gjendjes së 29-vjeçarit, duke bërë të ditur se mesfushori nuk ka pasur koronavirus dhe nuk është vaksinuar.
“Të gjithë ndjemë një frikë të madhe. Pamjet ishin të rënda, dinamika e të cilave paralajmëronte diçka dramatike, të cilën në të kaluarën e kemi parë edhe në Itali. Për fat të mirë, falë ndërhyrjes së mjekëve dhe shokëve, drama u kthye në një fund të lumtur.
Tani ndodhet nën vëzhgim. Christian nuk ka pasur COVID, madje as nuk është vaksinuar, sepse edhe vaksina, siç e dini, mund të krijojë probleme kohët e fundit. Është e drejtë ta theksoj një gjë të tillë.
Eriksen na shkroi në një grup ku jemi të gjithë ne të Interit. Për fat të mirë, më e keqja kaloi. Ai hasi vështirësi për t’u përshtatur, por ishte protagonist te fitimi i titullit. Ne do ta presim, duke shpresuar se ai mund të zgjidhë problemet shëndetësore“, deklaroi drejtuesi i kampionëve të Italisë. /abcnews.al