Ndahet nga jeta në moshën 78 vjeçare aktori Andon Qesari.
Është ndarë nga jeta në moshën 78 vjeçari aktori i njohur shqiptar Andon Qesari. Lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit e ka dhënë djali i tij Edon Qesari përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
I biri i aktorit shkruan se artisti ka mbyllur sytë përgjithmonë, pas një sëmundjeje të gjatë, që e rëndoi dhe sfiliti shumë vitin e fundit.
“Sot në mëngjes, pas një sëmundje të gjatë, e cila e kishte rënduar dhe sfilitur shumë në vitin e fundit, i dashuri babai im ANDON QESARI u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare.
Dashuria e Tij e pamat për ne, familjarët dhe njerëzit e tij të afërt, përpjekjet për të na dhënë një jetë me dinjitet dhe begati, pasioni i vyer artistik që e shoqëroi gjatë gjithë jetës dhe shënoi një karrierë të paharrueshme në teatrin shqiptar dhe studimin e artit, humori i hollë që e spikaste, janë trashëgimi më i çmuar që na la.
Të dua Ba’ dhe mirupafshim në një jetë më të mirë..”, shkruan ai.
Kush ishte Ando n Qesari:
Andon Qesari, lindi në Qeparo më 27 qershor 1942. Aktor dhe regjisor shqiptar, më 1966 u diplomua për aktor në shkollën “Aleksandër Moisiu”. Pas diplomimit emërohet aktor në teatrin profesionist të Vlorës. Në vitin 1972, kalon pedagog në ILA. Në vitin 1975 rifillon aktivitetin e tij artistik si aktor, por në Teatrin Kombëtar.
Ka interpretuar shumë role, duke filluar nga Besniku “Shënomëni dhe mua”, Feni “Furnalta”.
Emërohet përfundimisht aktor i TK në 1977.
Realizoi më vonë Vurmi “Intrigë dhe dashuri”, Qamil Beu “Epoka para gjyqit”, Aleksi “Doktori pacient”, Luixhi “Tragjedia e Deas”, Zeusi “Prometeu”, At Kormili “Monserati”, Kryetari “Vizita e damës plakë”, Ksanthi “Ezopi”, Komisari “Opertunesku” “Kapuleti” “Romeo e Zhulieta”, Berlingu “Vizita e inspektorit”, Konti “Fernando Krafi më ka shkruar një letër”, etj. Ka interpretuar edhe në disa filma artistikë.
I suksesshëm edhe si regjisor: “Karnavalet e Korçës”, “Pallati 176”, “Nën dritat e skenës”, “Në jetë”, “Valsi i Titanikut”, etj. Është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.e.su./abcnews.al