Arsenali nuk kishte fituar asnjë nga shtatë ndeshjet e fundit në Premier League. Kritikat ndaj ekipit londinez janë shtuar shumë kohët e fundiut, por djemtë e Mikel Artetës u rikthyen te fitorja.
Sot mposhtën 3-1 në shtëpi Chelsea e Lampard, takim ku Granit Xhaka realizoi një gol të mrekullueshëm, ndërsa portieri Leno priti një penallti në minutat shtesë të takimit.
Trajneri spanjoll i “Topçinjve”, Mikel Arteta shfaqet i lumtur në prononcimin e dhënë për Sky Sport, aty ku analizon sfidën e fituar dhe karikon djemtë e tij për të vazhduar me paraqitje të tilla.
“Arritëm një fitore madhështore. Në periudhën e fundit nuk kemi kryer paraqitje pozitive dhe nuk kemi marrë rezultate pozitive. Lojtarët dhe tifozët kanë vuajtur shumë.
Video: Granit Xhaka’s beauty of a free kick against Chelsea. pic.twitter.com/cYmdn3RQRQ
— gunnerstuff (@gunnerstuff) December 26, 2020
Ishte tepër e nevojshme një fitore e veçantë si kjo e sotmja në Boxing Day, aq më tepër ndaj një rivali si Chelsea. Mund të jetë pika e kthesës në aspektin e vetëbesimit të skuadrës.
I njoh mirë cilësitë e lojtarëve të mi, e kam të qartë se ku mund të përmirësohemi, por di edhe që mund të luajmë në të ardhmen kështu siç luajtëm sot.
Ishim më mirë se Chelsea në momentet vendimtare të ndeshjes, e merituam fitoren. E nisëm mirë ndeshjen, ndryshe nga çfarë kemi bërë në përballjet e fundit.
Krijuam raste për gol që në minutat e para, duke e rritur nivelin e besimit te vetja jonë. Sot u kënaqa me të gjithë, luajtën shumë mirë lojtarët e rinj dhe ata më ekspertë“, deklaron Arteta. /abcnews.al