“Artemis II” do të rikthejë misionin e NASA-s në rrugën drejt Hënës pas më shumë se 50 vitesh.
Katër astronautë, Reed Wiseman, Victor Glover, Christina Coch dhe Jeremy Hansen do të nisen nga Qendra Hapësinore Kennedy në Cape Canaveral, Florida.
Ekuipazhi do të udhëtojë në bordin e anijes Orion, e cila do të lëshohet nga raketa gjigante Space Launch System (SLS). Misioni pritet të zgjasë rreth 10 ditë dhe do të përfshijë një fluturim rreth Hënës pa ulje në sipërfaqe.
Ky do të jetë fluturimi i parë i pilotuar i programit Artemis dhe do të testojë sisteme jetike si mbështetja e jetës, navigimi, komunikimi dhe mburoja e nxehtësisë e Orionit, duke i dërguar astronautët më larg se çdo mision i mëparshëm i ekuipazhit.
Astronautët janë stërvitur për më shumë se dy vite dhe që prej 18 marsit ndodhen në karantinë në Qendra Hapësinore Johnson në Houston, në përgatitje për nisjen.
Misioni drejtohet nga Wiseman, i cili pavarësisht përvojës së tij të gjerë si astronaut, ka pranuar se ka frikë nga lartësitë kur ndodhet në Tokë.
Piloti i misionit, Glover, do të bëhet astronauti i parë me ngjyrë që udhëton drejt rajonit hënor. Ndërkohë, Coch do të shënojë histori si një nga gratë pioniere të eksplorimit hapësinor, ndërsa Hansen do të bëhet astronauti i parë jo-amerikan që udhëton përtej orbitës së ulët të Tokës drejt Hënës.
Misioni Artemis II konsiderohet një hap kyç drejt qëllimit afatgjatë për dërgimin e njerëzve në Mars dhe ndërtimin e një pranie të qëndrueshme njerëzore në Hënë.
/abcnews.al/


