Në dëshminë e tij në GJKKO, Artan Tafani, i penduari i drejtësisë në bandën e Laert Haxhiu, dëshmoi edhe mbi atentatin ndaj Kujtim Metës në Lushnje. Ngjarje kjo e regjistruar në prill 2022. Ai tha se Laert Haxhiu porositi vrasjen e tij, pas sherri që Meta kishte patur me babain e tij.
“Di që babai i Laertit ishte zënë me Kujtim Metën dhe donin që ta vrisnin, nuk e di shkakun e vërtetë. Dhe u hap si muhabet ku ishte edhe babai i Laertit ,na kërkonte që ta vrisnim me thikë tek ullinjtë që të dukej si sherr momental dhe mos kuptohej që vrasjen e kishte bërë Laerti për shkak të konfliktit, por vrasja nuk ndodhi.
Tentuam sërish të vrisnim Kujtim Metën dhe në vëzhgim po e mbante Dorian Shurdhi. Por Dorian Shurdhi nuk deshte ta vrisnim sepse kishte frikë se identifikohej nga kamerat e sigurisë. Unë me Laertin flisja në telefon dhe i tregoja për situatën dhe ai filloi të shante Dorianin dhe këmbëngulte që të bëhej vrasja. Më pas Laerti më dha informacion se Kujtimi ishte afër një lokali dhe më tha shko afrohu se e ke aty.
Isha me një kapele në kokë dhe një pistoletë tip zaztava me silenciator. Shkova te dera e lokalit, Kujtimi ishte duke pirë kafe i vetëm, unë Kujtimin e kisha parë nga Facebook ma kishte treguar Laerti dhe e njoha. Sapo e pashë nxora armën dhe e godita drejt dhe ai hidhet nga karrigia dhe përpiqet të ikë, unë e qëllova prap, e qëllova me 8 fishekë.
E ndoqa nga mbrapa ai duke dalë në një parking nga pas lokalit Kujtimi u pengua unë e qëllova sërish derisa më mbaruan fishekët. Aty nuk kuptova sa plumba e kapën, por në lajme pashë që e kisha plagosur në bark. Pas atentatit u larguam bashkë me Lulëzimin me makinë. Afër rreth rrotullimit të Cermës na e bëri me shenjë për të ndaluar një postobllok policie, por ne nuk i ndaluam u larguam.” tha ai.