Artan Mergjyshi analizon Superligën

schedule16:47 - 26 Nëntor, 2018

schedule 16:47 - 26 Nëntor, 2018

Superliga shqiptare nuk arrin t’i kënaqë tifozët, edhe pse rivaliteti është rritur. Kjo është analiza e trajnerit Artan Mergjyshi, që vlerëson edhe shanset për titull të Partizanit e Skënderbeut.

Shumë konkurrencë dakord, por sa e bukur?

Për fat të keq, Superliga merr notë të mirë vetëm tek rivaliteti, edhe kjo falë rënies së Skënderbeut të vjetshëm. Ky është mendimi i njërit prej trajnerëve të njohur të futbollit shqiptar, Artan Mergjyshi, deri pak javë më parë në stolin e Laçit. Ai vlerëson edhe duelin Partizani-Skënderbeu.

“Kanë marrë maksimumin nga skuadrat e tyre. Partizani niset nga një fazë mbrojtëse e mirë. Nga ana tjetër i mungon një sulmues i mirëfilltë që t’i japë ritëm sulmit dhe të jetë prezent në çdo aksion. Po kështu edhe Skënderbeu është një skuadër e konsoliduar. Kryesorja është qetësia që ka ai klub dhe mentaliteti që ka për të fituar. Unë nuk do ndaja asnjë ekip për të fituar të dyja janë 50 me 50 për qind”, u shpreh Mergjyshi.

Nga fjalët e mira te konstatimet që nuk na pëlqejnë edhe aq.

“Është një kampionat që nuk shënohen më shumë gola. Ia lenë rastësisë ose dhe episodeve dhe mënyrës së shënimit të golave. Kjo është një filozofi që përdoret pothuajse nga të gjitha skuadrat tona”, tha ish-trajneri i Laçit.

Në këto kushte është e qartë që tifozët nuk vrapojnë për në stadium.

“Kryesorja është që tifozi pret shumë, duke pasur parasysh që edhe skuadrat lëvizin me organikën. Në momentin që skuadra shfaqet mirë futbolli është më spektakolar dhe këto e bëjnë që edhe tifozat të vijnë në stadium”, tha Mergjyshi.

Si njeri që e njeh nga afër profesionin, Mergjyshi thekson një problem për fushat stërvitore me bar sintetik.

“Mirë do të ishte që çdo ekip të stërvitej me fushën ashtu siç luhet sepse teknikisht po ta shpjegosh janë grupmuskujt të tjerë që aktivizohen në fushë me bar sintetik dhe të tjerë që aktivizohen me bar natyral. Lojtarët kanë vite që stërviten me kushte të ndryshme dhe luajnë në kushte të ndryshme. Nuk është se ndihmon lojtarët dhe kjo sjell probleme me dëmtimin e tyre herë pas here”, shpjegoi Mergjyshi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!